I rrahur keq, sulmuesi në xhaminë e Norvegjisë: Nuk e ndiej veten fajtor

Personi i cili dyshohet për sulmin brenda një xhamie në Norvegji dhe për vrasjen e vajzës së njerkut, nuk e pranoi krimin dhe nuk pranoi që të flasë para hetuesve, tha avokati i tij të hënën.

“Ai po e ushtron të drejtën e tij për të mos folur” tha avokati i tij mbrojtës, Unni Fries, duke shtuar se “ai nuk e pranon fajësinë”, raporton Reuters, transmeton Gazeta Express.

Philip Manshaus, 21 vjeç, i cili jetonte afër xhamisë al-Noors, në periferi te kryeqytetit, ka shprehur qëndrimet e tij të së djathtës ekstreme dhe mendimeve antiemigracion. Ai këto mendime i kishte shprehur me të tjerët, njofton policia.

Një gjykatës pritet që ta vazhdojë gjykimin e tij sot gjatë ditës në Gjykatën e Distriktit të Oslos.

Ai para se ta fillonte sulmin u përball me një 65-vjeçar, i cili u përlesh fizikisht me të dhe arriti që t’ia largojë armën nga dora dhe ta parandalojë sulmin.

“Prokurorët kanë kërkuar nga gjykata që ai të mbahet në izolim total për katër javë, pa pasur qasje në komunikim të jashtëm, vizitorë apo media” thuhet në deklaratën e policisë.

Hetimet ende janë në fazën fillestare dhe i dyshuari ende nuk e ka dhënë ndonjë deklaratë për policinë. Seancat gjyqësore ndaj tij nuk janë të hapura për publikun.

Ndërsa tani pyetja e cila u shtrua më së shumti nga publiku është, pse ai ka shenja të rrahjes në fytyrë. Sipas spekulimeve të mediave, ai këto shenja i ka marrë nga rrahja që 65 vjeçari ia kishte bërë para sulmit.