Iliri që u bë Papa i parë me famë botërore

Ndër personalitetet më të shquara me famë botërore renditet dhe Papa Eleuteri. Ai do të ngjisë shkallët më të larta të hierarkisë kishtare duke u bërë më i madhi i të mëdhenjve, pra Babai shpirtëror i gjithë besimtarëve katolikë, njeriu që kushtëzon botën shpirtërore të gjithë atyre që besojnë dhe një nga fuqitë më të mëdha të botës. Dihet nga të gjithë roli i Papatit në histori dhe në politikën botërore.

I pari që do fliste për personalitet e mëdha ekleastikë shqiptarë, do të ishte Marin Barleti, i cili në librin e tij të tretë do të shkruajë se se Papa XIV, me emrin Eleuterio do të lindte në Nikopojë të Epirit, pra në Prevezë të Çamërisë.

Papa Eleuterio do të lindë 100 vjet pas Krishtit dhe studimet i kreu në Romë. Në kohën e Papa Ancitetit, Eleuteri do të marrë urdhrin e Meshtarisë. Në fronin e Papës ai do të ulej në vitin 177 dhe do të qëndronte 9 vjet, deri në vitin 186.

Papa Eleuteri përhapi Ungjillin në shumë vende të Mbretërisë Romake dhe dërgoi misionarë të shumtë dhe në Angli për të predikuar, në mënyrë që ta bënte Krishtërimin dominues në të gjithë qytetërimin evropian.

Papa Eleuteri e kreu detyrën e tij me shumë përkushtim dhe në kohën e tij dha tituj ekleastikë 15 peshkopëve në vende të ndryshme.

Sigurisht që në kohën e tij, Krishtërimi ishte në hapat e parë dhe pa dyshim që detyrat ishin të mëdha. Ishte koha kur bota akoma besonte bestytnitë dhe ritet pagane, ndaj Papa Eleuterio do të jepte urdhra të ndryshëm që hynë në histori. Një ndër urdhëresat më të famshme të tij është ai për të mos respektuar bestytninë hebreje për mosngrënien e mishit të shtazëve nga njerëzit.

Faktin që ai ishte shqiptar e dëshmojnë të gjitha burimet e Kishës katolike të Romës dhe të gjitha listat e Papëve. Por e vërteton me të dhënat e tij të çmuara dhe Ëngjëll Sedaj, i cili thotë se në kapelën Sistine, në afreskat e Mikelanxhelos është i pikturuar dhe portreti i tij.

Sipas zbuluesit, ai, paraqitet në profil me një mjekër të gjatë, i ulur në fron duke mbajtur në duar një libër të madh, ndërsa në shpinën e tij janë dy engjëj-fëmijë duke e shikuar të njejtin libër.

Gjatë sundimit të tij në krye të papatit, herezia montaniste ishte në kulmin e saj, ndaj për paraqitur ndryshimet që ekzistonin mes të krishterëve dhe montanistëve të krishterët shkruan 4 apologji të famshme.

Në vitin 177 shpërtheu në mënyrë të ashpër persekucioni ndaj kishës nga perandori romak, Mark Aurel. Fuqia imperiale nuk bënte dallime mes të krishterëve të devotshëm dhe të krishterëve heretikë dhe shumë veprime të montanistëve u atribuoheshin edhe të krishterëve, duke i dënuar shpesh me martirizim.

Janë të famshëm martirët e kësaj kohe të kishës katolike si Santa Blandina, Santa Cecilia etj. Të njëjtin fat do të kishte dhe Papa Eleuteri që pas martirizimit të tij do të shpallej Shenjtor i kishës katolike. Duke u bërë kështu shqiptari i parë që do hynte në listën e shenjtorëve. /konica.al/

(Të dhënat nga arkiva e Vatikanit. Historia e Papëve, Marin Barleti)

Loading...