Ish ushtari i UÇK-së shqyen çertifikatën e veteranit

Fisnik Ismaili, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tani deputet i Partisë Socialdemokrate ka vendosur që ta shqyejë certifikatën prej veterani, për shkak të pa rregullsive të mëdha që e kanë përcellur këtë proces.
Siç shkruan Ismaili në Facebook, “është shkërdhyer kjo vlerë e luftës”.

“Regjistrimi i veteranëve është bë dy herë. Herën e parë menjëherë mbas lufte, kur u pata kthye në Londër, edhe nuk u pata lodhë me aplikue, kur mora vesh se maca e kuca ishin ba veteranë”, shkruan Ismaili, njofton Klan Kosova.

“Para 5 vjetësh u bë rishikimi i veteranëve, me komision, e me krejt procedurat e rregullta kishe, pikërisht për shkak të macave e kucave. Këtë herë aplikova, me shpresë se të paktën kjo vlerë e luftës nuk shkërrdhehet”.

“Por, edhe pata premtue se, nëse del vetëm një veteran i rremë në listat e reja, unë kam me çue dorë prej statusit tim, për të cilin edhe jam deklarue se nuk kam me marrë beneficione deri të pensionohem, edhe asnjë cent të vetëm, qoftë edhe për parkingjet e veteranëve, nuk e kam shfrytëzue deri tash”.

“Meqë kurrkush nuk po ndërmerr kurrgja me i largue mija veteranë të rremë prej listave, atëherë veteranët e vërtetë s’kemi çka lypim aty. Luftën s’e kemi bë as për mirënjohje, as për qertifikata, as për me fitue pare në emën të saj”.
“Sot po e mbaj premtimin. Pak gjana në jetë më kanë dhimbtë sesa ky sot”.

Komentet

komentet