Kadri Veseli: Serbia duhet ta kuptojë se Kosova është zot shtëpie

Veseli: Ne nuk jemi duke shkuar në Serbi të provokojmë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar ndaj arrestimit të Marko Gjuriq, duke thënë se shteti i Kosovës ka zbatuar sot ligjet e veta dhe ka ushtruar sovranitetin e plotë, dhe se Republika e Kosovës nuk lejon asnjë provokim dhe Serbia duhet të kuptojë se ky vend ka zot shtëpie.

“Ne nuk jemi duke shkuar në Serbi të provokojmë, presim që ata të jenë më të vëmendshëm në respektimin e sovranitetit të kufijve tanë territorialë. Për aq sa ata janë korrekt ne do të jemi korrekt. Nuk na është dashtë dita e sotme, por zyrtarët serbë duhet ta kuptojnë se në Kosovë mund të futen vetëm me lejen e autoritete shtetërore kosovare”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Për më tepër, ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë por vullneti duhet të jetë i dyanshëm, ndërsa i ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie që të jenë të qetë dhe të mos nxiten nga asnjë lloj provokimi.