“Kam humbur një pjesë të zemrës këtu”, dëshmi nga vendngjarja e vrasjes së efektivit Ardian Kodra

“Top Story” solli mbrëmjen e së mërkurës në Top Channel, dokumentarin për policët e vrarë, ku pjesa më e madhe e tyre, 224 efektivë, kanë rënë dëshmorë nga viti 1990 e deri më sot.

Kulmi i krimeve ishte në periudhën famëkeqe të Shqipërisë, viti 1997, ku efektivët përballeshin me banda të armatosura grabitësish ose pengmarrësish.

Ylli i fundit në murin e kujtesës është ai i efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, Ardian Kodra.

“Në anën e punës, ai ka qenë mjaft i përgatitur, por këto janë gjëra që i ndodhin kujtdo në Polici. Punën e ka bërë me pasion, nuk ka hezituar”, thotë Arsuid Kodra, djali i Ardian Kodrës.

“Top Story” udhëtoi për në Torovicë të Lezhës, në një banesë të shkatërruar që ngjason me një godinë fantazmë, e që sot shërben si një vend kujtese ku ra në krye të detyrës efektivi i FNSH-së, Ardian Kodra. Pasojat dhe kujtimi i asaj dite janë ende të gjalla, falë atyre pamjeve.

Çati e rrëzuar, mure të shkatërruara dhe shenja plumbash gjithandej, janë treguesi i qartë i një lufte të vërtetë që ka ndodhur atë ditë.

Imazhe të zymta, të xhiruara nga “Top Story”, sjellin edhe njëherë kujtimin e tragjedisë së asaj dite për djalin e Ardian Kodrës, Arsuidin, sot gjithashtu një punonjës policie.

“Kjo është hera e dytë që jam këtu. Të them të drejtën, domosdoshmërisht kushdo që mund të kishte qenë në vendin tim nuk do të ishte ndierë mirë. Sepse kam humbur një pjesë të zemrës këtu, një njeri të veçantë, e kam pasur si shok”, thotë Arsuid Kodra, djali i efektivit të vrarë në detyrë.

Ishte 2 shtatori i vitit 2016, kur disa banorë të Torovicës, të frikësuar kërkuan ndihmë, pasi fqinji i tyre David Qosja qëllonte me kallashnikov në drejtime të ndryshme nga banesa e tij.

Një grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës mbërriti në vendngjarje, duke rrethuar banesën dykatëshe. Zjarri nga brenda banesës vijonte pa pushim, nga të gjitha drejtimet ku ndodheshin punonjësit e policisë.

Pavarësisht kësaj, Ardian Kodra tregon guxim dhe afrohet pranë rrethimit të banesës, vetëm pak metra larg vendit nga vinin të shtënat. Ai i bëri thirrje Qosjes të dorëzohej. Por, përgjigjja do t’i vinte me plumba.

“Kanë qenë disa pemë të mëdhaja, nuk dukej mirë shtëpia. Babi ishte këtu, në pjesën ballore, anësore. Me sa kanë shpjeguar shokët, pasi është ulur nga makina e blinduar për rrethimin e plotë, bashkë me kolegët, ka ngrënë një goditje nga një plumb qorr, i cili i ka marrë jetën e tij për punë minutash”, thotë djali i Kodrës.

Kodra u qëllua pikërisht nga një dritare, që kishte pamje të qartë nga rruga. Ai u transportua me shpejtësi nga kolegët, por ndërroi jetë për shkak të hemorragjisë.

“Atë ditë…kam jetuar në Gjermani. Lajmin e përjetova keq, se në fillim më thanë që ka pas përplasje, por është mirë. Në fund mora vesh se kishte ndërruar jetë”, thotë Arsuid Kodra.

Autori i krimit, David Qosja rezistoi, duke vijuar të shtënat edhe për disa minuta ndaj policisë. Më pas, ai la armën në një prej dhomave, i vuri zjarrin banesës së tij dhe doli nga pas për t’u arratisur. Por, efektivë të RENEA-s e arrestojnë në moment.

“Ndihem krenar për babain që kam pasur, ndihem krenar për fjalët që më thonë, jo vetëm stafi i punës”, thotë Arsuid Kodra.

Si djali i dëshmorit të fundit dhe si një punonjës policie, Arsuidi jep një mesazh të fortë:

“Uroj që të jetë rasti i fundit në polici, rasti i babait, mos të ketë raste të tilla se janë sulmet e dhimbshme dhe familja është ajo që e përballon dhimbjen”, thotë Arsuid Kodra, djali i Ardian Kodrës.