Karnavalet Ilire në Bozovcë të Tetovës

Lëkurat e përpunuara të kafshëve, maskat dhe kambanat, këto janë sinonim i karnavalit të përvitshëm Ilir, që mbahet në Bozovcë të Malësisë së Sharrit në Tetovë.

Me mëngjes, banorë të veshur me xhup lëkure të përpunuar, maska në fytyrë dhe kambana, dalin rrugëve të fshatit, për, siç thonë ata, frikësuar dhe larguar të keqen nga fshati dhe për t`i uruar mirëseardhje stinës së re.

Kjo traditë ka filluar shumë vite më parë, por viteve të 80-ta, u ndërpre, dhe për dy dekada nuk u realizua e njëjta. Nga viti 2008 e njëjta u riaktivizua sërish, kësaj radhe ende më e fuqishme, që ka ndikuar për të sjellë në Bozovcë të malësisë së Sharrit, edhe studiues të albanologjisë dhe etnologjisë nga universiteti i Prishtinës dhe Tiranës.

Përveç maskave që trembin, në këtë karnaval Ilir, garojnë edhe nuset. Sipas traditës, zgjidhet nusja që “do iu vë këmbën gjitha nuseve të fshatit”.

Kështu ndodhi edhe dje, njerëz të ardhur nga gjitha trevat shqiptare, nga afër ndoqën jo vetëm karnavalin Ilir të maskave të lëkurës, por edhe programin e pasur kulturor e artistik, të organizuar nga nikoqiri i manifestimin profesor Neshat Memedi.

Manifestimi vite më parë (mbajnë mënd më të moshuarit) është realizuar edhe në disa fshatra të tjerë të malësisë së Sharrit, por tradita është harruar dhe zhdukur. E njëjta tanimë realizohet vetëm në Bozovcë.