Kinë, prezantohet moderatori digjital i lajmeve

Agjencia shtetërore kineze e lajmeve, “Xinhua” prezantoi këtë javë pjesëtarin më të ri të redaksisë së saj të lajmeve; prezantuesin që do të raportojë pa u lodhur të gjithë ditën, për çdo ditë të javës, nga çdo vend i botës.

Shikuesit kinezë u përshëndetën nga një version digjital i moderatorëve të lajmeve të “Xinhua”, të quajtur Qiu Hao. I veshur me kostum dhe me kollaro të kuqe, ai tund kokën për të nënvizuar ato çfarë thotë, pulit qepallat e syve, e mbledh madje edhe vetullat.

“Unë, jo vetëm mund t’iu shoqëroj juve për 24 orë në ditë, 365 ditë të vitit, por mund edhe të kopjohem pafund dhe të jem i pranishëm në skena të ndryshme, për t’iu sjellë juve lajme që andej”, thotë ai.

“Xinhua” prezantoi edhe një moderator artificial anglishtfolës, që thotë “Zhvillimi i industrisë së medias kërkon inovacion të vazhdueshëm dhe integrim të thellë me teknologjitë e avancuara ndërkombëtare. Unë mezi pres t’iu sjell juve një varg eksperiencash të reja”.

Të krijuar nga “Xinhua” dhe motori kinez i kërkimeve, “Sogou”, moderatorët u zhvilluan përmes një makinerie që simulon zërin, lëvizjet faciale dhe gjestet e prezantuesve të vërtetë, me qëllim që të krijohen sozi që duken si të gjalla të tyre, e jo robotë të ftohtë.

Në Kinë gjenden disa nga kompanitë teknologjike më të mëdha të botës dhe ka rreth 800 milionë përdorues interneti, pavarësisht se ky i fundit është një nga më të kontrolluarit në botë. Vëzhguesit janë të shqetësuar se Kina po shndërrohet në një shtet digjital policor, me teknologjinë që po zhvillohet për të monitoruar aktivistët, minoritetet etnike, etj.