Kocias: Dalja e ulët në referendum, për shkak të numrit jo real të votuesve

Kryediplomati grek, Nikos Kocias tha se dalja në referendum ishte më e ulët sesa ajo që pritej, por se numri prej 1,8 milion votuesish në Listën Zgjedhore nuk ishte real. Kocias u distancua nga qëndrimi i partnerit të koalicionit qeveritar, Panos Kamenos sipas të cilit referendumi i së dielës është i pavlefshëm, duke thënë se kjo nuk paraqet qëndrimin e politikës së jashtme të Greqisë.

Kishim informacione nga Qeveria e Shkupit se dalja do të jetë mes 40% dhe 45%. Ne pritëm një dalje prej 41%. Eventualisht dalja ishte më e vogël. Por listat zgjedhore nuk është e pastruar. Trupi real zgjedhor është rreth 1,1 deri në 1,2 milion. Në këtë trup real, Marrëveshja e Prespës mori “Po” nga mbi 50%  –  deklaroi Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Në një intervistë për televizionin grek, ERT, Kocias zbuloi se pritet që deri në mars Shkupi të përfundojë me ndryshimet kushtetuese, pas çka Kuvendi i Athinës do ta ratifikojë marrëveshjen madje pavarësisht kundërshtimit të opozitës. Ai siguroi se pa ratifikuar marrëveshjen, Greqia nuk do të organizojë zgjedhje, duke shtuar se marrëveshja ruan stabilitetin e gjithë rajonit dhe IRJM-në nga shpërbërja e mundshme. Ndërsa u shpreh i bindur se në rast se mbahen zgjedhje në vend kryeministri, Zoran Zaev do të fitonte sërish.

Marrëveshja duhet të mbërrijë në mars. Sapo procedurat të mbarojnë në IRJM, Marrëveshja menjëherë do të ratifikohet në Kuvendin grek. Jemi Qeveri serioze. Bëmë negociatat sepse kishim shqetësime serioze për ndikimin e Fuqive të treta në Ballkan, që historikisht nuk kanë qenë miqësore ndaj nesh – tha Nikos Kocias, Ministër i Jashtëm i Greqisë.

Për ndërmjetësin e OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimic është e rëndësishme që shumica dërmuese e qytetarëve që votuan, mbështetën Marrëveshjen e Prespës. Në një prononcim për televizionin grek Antena, Nimic porositi lidershipin e Shkupit ta respektojë këtë vullnet, t’i zbatojë obligimet e Marrëveshjes në Kuvend dhe të merr vendime të rëndësishme për të ardhmen e vendit. Në linjë me Nimicin, edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh ftoi të gjitha forcat politike në Maqedoni të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes në institucione. Por nga ana tjetër, për Moskën zyrtare përshëndetja e rezultatit të referendumit nga ana e liderëve të BE-së dhe NATO-s, pavarësisht se sipas saj, 2/3 e qytetarëve nuk e mbështetën marrëveshjen, dëshmon se duan ta anëtarësojnë Shkupin në NATO pavarësisht kundërshtimit të qytetarëve. Në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme ruse theksohet se zgjidhja e qëndrueshme për çështjen e emrit duhet të gjendet brenda dy vendeve, pa ndërhyrje të jashtme, në kuadër të sistemit ligjor dhe me mbështetje të gjerë të opinionit.

Anesa Salihu