Kosova mbetet pa bastore e kazino, sot hyn në fuqi Ligji

Në Kosovë nga sot nuk do të ketë më bastore e kazino funksionale. Këtyre bizneseve, nga të cilat 19 janë nga Shqipëria, do tu ndalohet veprimtaria për 10 vjetët e ardhshëm. Puna do t’i ndalet edhe Lotarisë së Kosovës.

Administrata Tatimore e Kosovës ka treguar se me 10 maj hyn në fuqi Ligji për Ndalimin e Lojërave të Fatit.

“Ky revokim i licencave hynë në fuqi nga me 10 maj dhe çdo ushtrim i aktivitetit të lojërave të fatit pas kësaj date do të konsiderohet aktivitet i kundërligjshëm, kështu që institucionet e zbatimit të ligjit sipas nevojës do të veprojnë sipas detyrës zyrtare”, kanë thënë në ATK.

Mbyllja erdhi pasi institucionet inicuan miratimin e një ligji, të shtyrë pas dy vrasjeve që ndodhën gjatë muajit mars në lokalet ku ushtohej veprimtaria e lojërave të fatit.

Me 28 mars, Kuvendi i Kosovës ka votuar shfuqizimin e Ligjit për lojërat e fatit.

Edhe në Ministrinë e Financave kanë treguar se me plotësimet që i janë bërë Ligjit në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, veprimtaria u ndalohet gjithë lojërave të fatit, duke përfshirë edhe Lotarinë e Kosovës.

“Ligji për Lojërat e Fatit është proceduar kohë më parë nga Qeveria në Kuvend, ku më këtë Ligj Lotarisë së Kosovës nuk ju ka hequr e drejta për të ushtruar veprimtarinë e saj. Ndërsa në Komisionin për Buxhet dhe Financa është bërë amendamentimi i Draftligjit i cili është dërguar nga Qeveria ku i ka ndaluar në përgjithësi të gjitha lojërat e fatit, duke përfshirë këtu edhe Lotarinë e Kosovës”.

E momentalisht në Kosovë do të mund të kryejnë veprimtari vetëm lojërat shpërblyese.

Administrata Tatimore e Kosovës pati njoftuar se lojërat shpërblyese të kompanive do të vazhdojnë të lejohen edhe përkundër hyrjes në fuqi të ligjit për ndalimin e lojërave të fatit.

Kjo pasi që ky ligj sipas ATK-së, nuk i trajton lojërat shpërblyese si lojëra të fatit.

Sipas ATK-së, lojërat shpërblyese do të lejohen me kusht që të njëjtat mos të kenë kosto shtesë, shpërblimet mund të jepen në produkte, dhe para të gatshme duke mos tejkaluar shumën prej 1000 euro për person.

Kazinotë dhe qendrat e basteve sportive, kanë qenë mjaft të frekuentuara nga një pjesë e qytetarëve. E nga to ka përftuar edhe shteti.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, Administrata Tatimore e Kosovës ka mbledhur mbi 1 milion e 700 mijë euro nga gjobat ndaj këtyre bizneseve, për mosrespektim të Ligjit për lojërat e fatit.

Kurse 15 milionë e 874 mijë euro, është shuma totale e akcizës që kanë paguar bizneset e lojërave të fatit, gjatë vitit 2018. Ndërsa, një vit më herët, më 2017, nga akciza për këto biznese në arkën e shtetit kanë shkuar 12 milionë e 479 mijë euro.

Kujtojmë se kazinotë dhe qendrat e basteve sportive u mbyllën pasi ndodhën dy vrasje në lokalet ku ushtrohej veprimtaria e lojërave të fatit. Një vrasje ndodhi në Suharekë dhe një tjetër në qytetin e Lipjanit.

Vrasje këto që tronditën gjithë vendin, ndërsa pas vendimeve nga institucionet njësitet e Policisë së Kosovës së bashku me inspektorë tatimor e doganierë morën menjëherë aksion që t’i bastisin bizneset e lojërave të fatit.

E tërë situata për mbylljen e lojërave të fatit dhe shfuqizimin e Ligjit i cili ua lejon atyre veprimtarinë në vend, ka ardhur pas dy vr.asjeve që janë bërë gjatë muajit mars pikërisht në lokale të lojërave të fatit.

Jetmir Aliaj, 32 vjeç, u qëllua për vd.ekje të dielën e 17 marsit në një lokal të lojërave të fatit në Suharekë. Tri ditë më vonë, më 20 mars, Florent Ahmetaj, 32 vjeç, u qëllua për vd.ekje me ar.më zja.rri brenda një kazinoje në Lipjan.

19 biznese janë nga Shqipëria

Pas mbylljes së Lojërave të fatit në Shqipëri nga 1 janari i këtij viti, një pjesë e tyre u zhvendosën drejt Kosovës, ndërsa të tjera kishin pasur aktivitet dhe më parë.

Vitin e kaluar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve janë regjistruar 21 biznese të reja, e në këtë vit janë regjistruar vetëm 7, kurse në 2016 janë regjistruar 17. Ndërsa më së shumti biznese të lojërave të fatit janë regjistruar në vitin 2011, gjithsejtë 58 të tilla.

Sipas të dhënave të zyrës së Informim të MTI-së, keq nuk qëndrojnë as pronarët nga Shqipëria, të cilët posedojnë këso biznese në Kosovë. Janë 19 biznese të regjistruar me pronarë nga Shqipëria në Kosovë. Prej tyre 2 biznese me pronarë nga Shqipëria janë regjistruar sivjet, ndërsa vitin e kaluar 4.

Në Kosovë aktualisht janë lokale bastesh e me 1.463 automate bixhozi.