Kosovë, botohet studimi mbi ekstremizmin

Në kohën kur gjithë bota është veshur me pallton e frikës nga akte ekstreme të mundshme, një studim që mban firmën e një autori shqiptar si Kolë Krasniqi hedh dritë mbi panoramën e ekstremizmit në Kosovë dhe vendet e rajonit. Promovimi i librit shërbeu si një thellim në çështjet e sigurisë së Kosovës, Shqipërisë kundrejt kërcënimit permanent të ekstremizmit. Pjesëmarrës ishin ushtarakë, politikanë të lartë, ish presidenti i Shqipërisë Meidani si dhe historianë nga të dy vendet. Sipas kolonelit shqiptar Dritan Demiraj harta e terrorit nuk njeh kufij ndaj duhet ta njohësh mekanizmin si punon dhe rekruton ajo për ta parandaluar. Koloneli Demiraj , thotë se :”Harta e terrorit nuk përjashton asnjë vend pavarësisht vendnodhjes. Ndaj libri i profesor Krasniqit, mbi shtrirjen e terrorizmit në Kosovë ka rëndësi të veçantë. Ky libër merret mes të tjerash edhe me identifikimin e shkaqeve që kanë çuar drejt veprimtarive te dhunshme aspak të pazakonta për realitetin shqiptar.”  “Paraqitja dhe zhvillimi i ekstremizmit islamist në Kosovë dhe vendet e rajonit” ndalet në panoramën e pasluftës, zhvillimet shoqërore, varfëria dhe papunësia që mundësuan gëlimin e ekstremizmit. Një nga pikat më delikate të këtij studimi është sulmi permanent i sponsorizuar nga organizata të ndryshme që i bëhet harmonisë fetare tradicionale ndër shqiptare.

Loading...