KROACIA MBËSHTET SHQIPËRINË PËR HAPJEN E NEGOCIATAVE TË ANËTARËSIMIT

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti sot në një takim zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Europiane të Kroacisë, Marija Pejçinoviq-Buriq, e cila vlerësoi progresin e reformave të ndërmarra nga Shqipëria dhe mbështeti hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Ministrja e punëve të jashtme kroate, foli për një fazë tjetër ku do të hyjnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kroacisë ndërsa vuri në dukje se vendi i saj mbetet mik i Shqipërisë.

“Sa i përket integrimit evropian, ne jemi aleatë dhe miq për Shqipërinë, për komunikimin që pati komisioni në lidhje me zgjerimin. Do donim të thoshim që ka një dokument, pra për zgjerimin, sepse zgjerimi nuk është më siç ka qenë para 10 vitesh. Shqipëria ka bërë goxha përparime këto dy vitet e fundit. Progresi është bërë në mënyre të tillë që e vetmja mënyre e besueshme përpara është që në raportimin për vendin, të jepet mbështetje për hapjen e negociatave me BE-në dhe Kroacia sigurisht që do ta mbështesë me gjithë zemër këtë zhvillim”, tha ajo.

Ndërsa ministri Bushati vlerësoi shembullin e Kroacisë si të suksesshëm lidhur me reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, ai kërkoi mbështetjen e shtetit kroat edhe në procesin e integrimit evropian, ku vendi ynë aderon për t’u bërë pjesë.

Lidhur me çështjen e zhvillimit ekonomik, Bushati tha se firmosja e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e mjedisit, pritet që të ketë impakt pozitiv edhe për turizmin.

Loading...