Kushtetuesja as sot nuk e nxori vendimin për Abrashin

Para dhjetë muajsh, Arban Abrashi i Lidhjes Demokratike të Kosovës dërgoi një ankesë në Gjykatën Kushtetuese, përmes së cilës shprehu pakënaqësi me rezultatin e zgjedhjeve për kryetar të Prishtinës.

Në ankesën e tij, Abrashi kishte kërkuar nga Kushtetuesja të bëj vlerësimin e raundit të dytë të balotazhit në Prishtinë, ku fitues doli Shpend Ahmeti, asokohe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Abrashi kishte vlerësuar se PZAP dhe Gjykata Supreme nuk i kishin trajtuar si duhet ankesat që ishin bërë. Mirëpo, për këtë ankesë, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marr vendim se a do ta refuzoj apo miratoj atë.

Veton Dula, drejtor i zyrës për Komunikim në Gjykatën Kushtetuese, ka thënë  se nuk dihet kur do të merret vendimi për ankesën e Abrashit.

“Lënda është në fazën përfundimtare, mirëpo nuk ka kohë të caktuar se a do të bëhet publik nesër, pasnesër apo më vonë”, ka thënë Dula.

Burime të Indeksonline mbrëmë bën të ditur se Kushtetuesja tanimë ka marr vendimin përfundimtar për ankesën e Abrashit, duke e refuzuar atë.

Me këtë vendim, zgjedhjet në Prishtinë për të parin e komunës konstatohet se janë të rregullta dhe nuk ka pasur shkelje.

Ndërkaq, Abrashi mbrëmë në një intervistë ka shprehur optimizëm se Kushtetuesja do të vendos në favor të tij, duke e dërguar Prishtinën në zgjedhje.

Madje, ai paralajmëroi se nëse ankesa i refuzohet, do të shkoj tutje, duke u ankuar edhe në Gjykatën e Strasburgut.

“Rasti është shumë i thjesht për me vendosur dhe ka qenë shumë i lehtë… unë do të shoh gjitha mundësitë ligjore, përfshi dhe Strasburgun, duke përfshi dhe ekspertizën ndërkombëtare e edhe forma të tjera të ndëshkimit të gjithë atyre që munden me pas gisht në këtë rast”, ka thënë Abrashi.