Ky është zyrtari i arrestuar në AKPM

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion ka arrestuar Fatmir Kajtazin (1961), zyrtar në Agjencionin Kosovar për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPM).

Burimet e Indeksonline brenda policisë kanë thënë se ky arrestim ndërlidhet me rastin e 28 marsit të këtij viti, ku ishte arrestuar Mendim Sojeva, shef i divizionit të financave dhe buxhet në AKPM.

Kajtazi dyshohet se ka keqpërdorur pozitës zyrtare ose autorizimit në institucionin ku ai punon.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, përkatësisht sektori për hetimin e korrupsionit ka arrestuar një zyrtar të Agjencionit Kosovar për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPM). Pas një pune operative, është bërë intervistimi dhe më pas arrestimi i të dyshuarit, gjegjësit zyrtarit të AKPM-së”, thuhet në njoftimin e Policisë, transmeton Indeksonline.

I dyshuari Kajtazi me vendimin të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes deri në një vendim të ri të organeve të drejtësisë.