Lazim Destani në samitin e dytë të diasporës shqiptare

Samiti i dytë i diasporës shqiptare, që po mbahet këto ditë në Tiranë, i ka nisur punimet sot para dite. Në ceremoninë e hapjes së Samitit morën pjesë autoritete shtetërore nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e nga trojet tjera si dhe përfaqësues të shumtë nga komuniteti i bizneseve të Diasporës shqiptare. Hapjen e punimeve të këtij Samiti nga foltorja e përshëndetën figura të shquara të diasporës shqiptare, ndër të cilat edhe biznesmeni dhe filantropi Lazim Destani i cili në këtë Samit merr pjesë si përfaqësues i Komunitetit shqiptar në Gjermani.

Lazim Destani e çmoi shumë mbështetjen dhe përkujdesjen e autoriteteve shqiptare për organizimin dhe mbajtjen e Samitit si dhe gjithë ata që dhanë kontribut për për këtë ngjarje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të rajonit tonë. Ndër të tjera ai tha, “motoja ime është, Të bashkuar jemi më të fortë. Kohët që po jetojmë kërkojnë bashkim potencialesh dhe vlerash. Të gjithëve këtu na ka sjellë dashuria ndaj atdheut, sot më shumë se kurrë i duhemi vendit tonë. Le ti bashkojmë forcat tona e ta japim gjithë fuqinë që kemi, materiale, ideore dhe realizuese. Unë e çmoj lart të gjithë spektrin politik, si në Shqipëri ashtu dhe në të gjitha viset tona por kur është në pyetje zhvillimi ekonomik, mendoj se interesat politike e partiake duhet të tejkalohen.”

Pas ceremonisë së hapes, punimet e Samitit kanë vazhduar me mbajtjen e katër Paneleve paralele me tema të ndryshme. I ftuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, Lazim Destani mori pjesë në Panelin me temë, Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm. Në këtë panel, nga gjashtë panelistët e pranishëm, u zhvilluan analiza e diskutime mbi gjetjen e rrugëve më të mira për zhvillimin ekonomik të rajonit. Lazim Destani, me përvojën e tij mbi katër dekada suksesi në sferën e biznesit, dha kontribut të çmueshëm në punimet e Panelit, ku ndër të tjera tha, “Fakt i njohur gjerësisht në botë është se ekonomia e një vendi është e lidhur ngushtë me politikën dhe sigurinë e atij vendi. Andaj do t’u bëja thirrje politik-bërësve në trojet tona, t’i kushtojnë rëndësi të veçantë këtij aspekti pasi investitorët, qofshin nga diaspora apo të tjerë, për investimet e tyre duan të ndiejnë siguri. Andaj uroj që ky Samit të jetë një forum i mirëfilltë prej ku do të dalin politikat e shëndosha shtetërore në marrëdhënie me diasporën tonë.”

Në kuadër të diskutimeve të tij, Lazim Destani e vuri theksin te potenciali i madh që ai shikon te rinia shqiptare. Nga ky Panel ai e inkurajon dhe i përcjell mesazhe rinisë sonë duke thënë, “Po t’i referohemi gjeneratës së re që kanë dalë jashtë vendit në periudhën e fundit, ndër ta sot gjejmë aq shumë nëpër kompani, banka, spitale, universitete, kompani sigurimesh e në fusha të tjera, madje të avancuar në pozita të larta menaxhuese. Vështirë të gjendet edhe një komb tjetër i vogël me kaq shumë suksese individuale, përfshirë edhe artin e sportin.  Me këtë rast, duke e çmuar shumë rininë tonë të mrekullueshme, të ndodhur si në diasporë ashtu dhe brenda trojeve tona, nga ky Samit e nga ky Panel diskutimi, Ju bëj thirrje, – kontaktoni kompanitë e diasporës si dhe kompanitë në trojet tona për t’i ofruar kapacitetet tuaja a për të ofruar bashkëpunim. Të ardhmen shikojeni me optimizëm dhe kini besim te vetja, mbi të gjitha ju inkurajoj ta keni guximin. Edhe në momentet kur jeni në situata të vështira, kurrë mos i thoni vetes ‘nuk dilet nga kjo situatë’… – ndiqni me përkushtim ëndrrat tuaja dhe suksesi do të vijë. Unë vet kam patur situata të tilla në jetë por ka qenë guximi dhe puna e bërë me përkushtim që më kanë çuar përpara duke i thënë vetes, ‘do t’ia dal’.”

Samiti i dytë i Diasporës vazhdon me punimet gjatë ditës së sotme ndërsa në mbrëmje, te Pallati i Kongreseve, mbahet Mbrëmja Gala e Samitit II të Diasporës Shqiptare ku përveç tjerash, pritet dhe dekorimi i disa figurave kombëtare që shquhen me kontributin e tyre për zhvillimin e atdheut.