LDSHM është kundër çdo marrëveshjeje që bëhet për të ardhmen e IRJM pa zgjidhjen e statusit shtetformues të shqiptarëve

LDSHM fton diasporën dhe qytetarët shqiptarë në IRJM për bojkot të referendumit për marrëveshjen për zgjidhjen e çështjes së emrit të IRJM! Kjo, duke u bazuar në argumentet në vijim:

1. Formulimi i pyetjes është bërë i tillë që le te (keq) kuptohet se, në fakt, po votohet pro ose kundër integrimeve në NATO dhe BE ndërkohë që nën rrogoz imponohet votimi i një marrëveshjeje të dëmshme për shqiptarët.

2. E gjithë fushata për referendum zhvillohet në kushtet e një presion te paparë, me një gjuhë kërcënuese dhe shantazhiste, gjë që nuk i ngjason me një fushate për referendum ku qytetaret janë të lire të shprehin vullnetin e tyre, por me një propagande të egër të një regjimi diktatorial, në të cilin votohet nën dhunë psikologjike.

3. Në marrëveshjen për emrin e IRJM, duke lejuar abuzimin (e pjesshëm) për përdorim të brendshëm me emrin e shtetit, dhe abuzimin (e plotë) të emrit të maqedonasve antik, sllavo maqedonasve u lejohet përvetësimi i territoreve dhe shtetit, te cilit i jepen vetëm atribute sllave (neni 1, pika a, b, c dhe d si dhe neni 7, pika 3) duke injoruar ekzistencën e shqiptarëve, dhe duke iu privuar atyre të drejtën mbi territoret dhe shtetin ku jetojnë, identitetin dhe gjuhën e tyre .

4. Po manipulohet hapur me ndjenjat properëndimore dhe pro euro integruese të shqiptarëve për të imponuar një marrëveshje që vulos trajtimin e tyre si qytetarë të rendit të dyte, duke konsumuar mundësinë e pregaditjes së një marrëveshjeje që nuk do të kontestohej nga shqiptarët për zgjidhjen e kontestit për emrin në mes të Greqisë dhe IRJM.

LDSHM thekson se fuqimisht përkrah çdo lloj marrëveshjeje që zgjidh pa dhunë kontestet ndërmjet shteteve dhe popujve ne Gadishullin Ilirik, si dhe vlerëson rolin dhe angazhimin e pazëvendësueshëm të SHBA dhe BE ne këtë drejtim. Shqiptarët kudo që jetojnë kanë qenë dhe janë miqtë më të mëdhenj dhe të padiskutueshëm të këtyre shteteve. Ne vazhdojmë të japim përkrahjen e pakushtëzuar për çdo proces të iniciuar dhe përkrahur nga demokracitë perëndimorë. Por LDSHM është kundër asaj që forca destruktive, vazhdimësi e sistemit të kaluar, së bashku me përfaqësues politik të kapur, dhe të zhytur në krim, të keqpërdorin këto nisma dhe këto marrëveshje, duke u shprehur ne emër te SHBA dhe BE, për të shtyrë projekte në dëm të shqiptarëve.

Përpjekjet tona për të mbrojtur interesat e shqiptarëve, përfshirë këtu ftesën për të mos votuar marrëveshjen për emrin në dëm të shqiptarëve, në asnjë mënyrë nuk nënkupton përkrahje agjendave dhe interesave ruse në këtë pjesë të rajonit apo shpallje lufte integrimeve euroatlantike.

LDSHM është kundër çdo marrëveshjeje që bëhet për të ardhmen e IRJM pa zgjidhjen e statusit shtetformues të shqiptarëve me ndryshime të paevitueshme kushtetuese.

Çdo shmangie nga kjo len hapësirë për ri aktualizim të sigurt të një konflikti ndëretnik në të ardhmen.

Komentet

komentet

Loading...