Ligji për mediat, rikthehet debati në Komision

Pas bllokadave për më shumë se 1 muaj, javën që vjen në Komisionin për Transport dhe Lidhje si pikë e rendit të ditës do të vendoset Ligji për Media. Deputetët e shumicës parlamentare akuzojnë kryetaren e Komisionit amë Liljana Zaturovska nga radhët e VMRO-DPMNE-së, se ka bërë pengesa të shumta, duke mos e vendosur Ligjin si pikë të rendit të ditës. Zaturovska nga ana tjetër thotë se Ligji për Media ka mbetur jashtë Komisionit për shkak të çështjeve të tjera të rëndësishme për të cilat është debatuar gjatë muajit të kaluar në Kuvend. Edhe pse pohon se nga java e ardhshme do të filloj debati për shqyrtimin e amendamenteve, Zaturovska nuk shprehet optimiste për përfundimin e shpejtë të debatit.

Nuk e kemi bllokuar qëllimisht por sepse ka pasur disa punë më të rëndësishme në Parlament. Gjatë javës së ardhshme ligji do të vendoset si pikë e rendit të ditës. Debati në lidhje me amendamentet patjetër që duhet të përfundojë. Amendamente kanë parashtruar edhe nga LSDM-ja dhe të gjithë deputetët tjerë. Ajo është në përputhshmëri me rregulloren, d.m.th nuk mund të ju them tani për momentin se sa mund të zgjasë debati dhe se për sa kohë mund të përfundojë – tha  Liljana Zaturovska, Kryetare e Komisionit për Transport dhe Lidhje (VMRO).

Anëtari i Komisionit për Transport dhe Lidhje nga shumica parlamentare, Dime Vellkovski thotë që bllokada e deritanishme është bërë me qëllim që të mos ndërrohen anëtarët e këshillit të RTVM-së dhe Agjencisë së Mediave.

Në lidhje me amendamentet e parashtruara, rreth 70 sa janë, sipas nesh qëllimi është që të bllokohet sjellja e ligjit, që të mos bëhen ndryshimet që janë me rëndësi të madhe për Republikën e Maqedonisë. Qëllimi jonë është që të bëhet rregullimi i mediumeve që profesionalistët të zënë vendet e tyre të punës. Unë pres që VMRO-DPMNE-ja të mbledh forcat që së bashku ta sjellim Ligjin për Mediat në interes të të gjithë punëtorëve mediatik dhe në interes të RM-së. Ne insistojmë që ky ligj të miratohet sa më shpejtë dhe këtë po e kërkojmë pa ndalë edhe nga VMRO-DPMNE-ja – u shpreh Dime Velkovski, Deputet i LSDM-së.

Për ligjin e Mediave në Komisionin për Transport dhe Lidhje janë parashtruar 73 amendamente, 12 prej të cilave nga shumica parlamentare. Deri tani, në gjashtë seanca të komisionit amë është debatuar për 7 amendamentet e VMRO-së, por asnjëri nuk është pranuar. Debati mbi amendamentet, thuajse në çdo seancë ka kaluar në fyerje dhe akuza politike mes deputetëve të shumicës dhe opozitës.

Besian Leka

Loading...