Lodrat e dyshimta për përmbajtje kancerogjene testohen në Holandë

Arianit Krasniqi, këshilltari politik i Bajram Hasanit, ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, ka njoftuar përmes Facebook-ut se kanë udhëtuar për në Spijkenisse të Holandës, për të bërë testimin e lodrave në laboratorin SGS, njofton Klan Kosova.

Përfaqësuesit e këtij laboratori Peter Knopperts dhe Matthijs Pols na informuan për procesin e testimit të lodrave për fëmijë të cilat dyshimin e kanë të jenë me përmbajtje kancerogjene”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

“Kujdesi ndaj fëmijëve tonë kërkon shumë përkushtim dhe përgjegjësi të lartë institucionale. Natyrisht ne nuk do rrijmë të qetë derisa fëmijët tonë do të luajnë me lodra dhe jo me jetën e tyre”.

Klan Kosova kishte realizuar në fillim të këtij muaji një storie për këtë problematikë.

Instituti i Shëndetit Publik pati kërkuar që të ketë kontrolle dhe analiza sistematike të lodrave.