Mahmuti tregon se si duhet emëruar krimet që Serbia ka bërë në Kosovë

Ish-përfaqësuesi i lartë politik i UÇK’së, Bardhyl Mahmuti, ka reaguar vazhdimisht ditëve të fundit rreth diskutimeve që po bëhen për krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë.

Ai ka thënë se kur flitet për atë që ka bërë Serbia në Kosovë, është pak të thuhet vetëm ‘krimet e luftës në Kosovë’.

Siç thotë ai në Konventën e Gjenevës, krimet klasifikohen në tri nivele, në gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

Prandaj sipas tij duhet përdorur terminologjia ‘krimet gjatë luftës në Kosovë”, është terminologjia e duhur që duhet përdorur kur flitet për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë gjatë viteve të 90-ta.

Reagimi i plotë:

Kur flasin për krimet që shteti serb ka kryer gjatë luftës në Kosovë një numër politikanësh të përgjegjësive të ndryshme institucionale përdorin shprehjen “krimet E luftës në Kosovë”. Duke mos pasur për qëllim të polemizoj me dikë, dhe me bindje të plotë se përdorimi preciz i fjalëve ndihmon në harmonizimin e përgjithshëm të terminologjisë që duhet të përdoret, sidomos nga politikanët dhe gazetarët, kur duhet të përkufizohen ngjarjet e caktuara, pos sqaroj me sa vijon:

Me Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949 dhe të Protokolleve shtesë të këtyre konventave; me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit; me Statutet e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe për Ruandën dhe me Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, të cilat përbëjnë bazën juridike të të drejtës penale ndërkombëtare për këto çështje, klasifikimi i krimeve për nga pesha është:

Gjenocidi

Krimet kundër njerëzimit

Krimet e luftës

Prandaj shprehja “krimet GJATË luftës në Kosovë” është terminologji adekuate që ngërthen në vete edhe gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit dhe nuk kufizohet vetëm në krimet e luftës.