Marrëveshja e Ohrit përçanë BDI-në, Hazbi Lika kundërshton mbylljen e Sekretariatit

Shpërbërja e Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ka nxitur edhe reagimin e zv. Kryeministrit Hazbi Lika, i cili kundërshton shndërrimin e Sekretariatit për zbatimin e MO-së në ministri për sistem politikë.

“E ndjej si obligim të sqaroj para Jush, situatën e krijuar së fundmi rreth iniciativës nga BDI për shpërbërjen e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, dhe themelimin e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet komuniteteve, iniciativë e cila ditën e nesërme do të gjendet para deputetëve. Unë si përfaqësues i BDI-së, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në detyrën e Zëvendës Kryeministrit të angazhuar për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit nuk jam informuar as edhe i konsultuar për iniciativën dhe as për hartimin e këtij ligji, duke aluduar në kompetencat që do të bartë Institucioni i ri i cili krijohet, dhe lidhshmërinë që do të ketë me vetë Marrëveshjen Paqësore të Ohrit”, thuhet në reagimin e Azbi Likës, zv. Kryeministër për zbatimin e Marrëveshjes së e Ohrit.

Lika shkruan se gjatë takimin të fundit me kreun e integristëve, Ali Ahmeti, ka kërkuar të hapet debat për shndërrimin e Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në ministri për sistem politikë.

“Në takimin e fundit të realizuar me Kreun e partisë, edhe pse vonë, megjithatë kemi kërkuar që të hapet debat dhe të diskutohet rreth kësaj iniciative me të gjitha organet partiake, por edhe me palët e interesuara jashtë partiake, duke tentuar në rruajtjen dhe trashëgimin e vlerave të mirëfillta që burojnë nga Marrëveshja Paqësore e Ohrit. Presim që aktorët politikë të reflektojnë me qëllim që të qartësohet mirë kjo situatë, të dihet mirë se cili do të jetë fati i Marrëveshjes Paqësore të Ohrit, me të vetmin qëllim për të ndërtuar një shoqëri të barabartë për të gjithë”, thuhet në reagimin Likës.

Ndryshe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit së shpejti pushon së ekzistuari. Në vend të tij do të formohet Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.