Mbërrijnë në Shqipëri 65 refugjatë nga Lindja e Mesme, disa prej tyre të sëmurë me fruth!

Mungesa e raportimeve sistematike të policisë së kufirit krijoi në publik idenë se situata e fluksit të refugjatëve nga vendet e Lindjes së Mesme ishte shtuar. Në një takim në prefekturën e Gjirokastrës drejtori i Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër pohoi se fluksi ka shënuar rritje përgjatë muajve të fundit ku vetëm në dy ditë drejt qendrës së pritjes në Tiranë janë nisur nga Gjirokastra 65 persona.

Gjendja shëndetësore e emigrantëve shpesh është problematike pasi një pjesë e tyre janë bartës të disa sëmundjeve si fruthi. Sipas tij pritet një fluks në rritje refugjatësh drejt kufirit shqiptar. Sipas tij nëse do të hynte vetëm 10% e sasisë së raportuar kjo do ta fuste Shqipërinë në emergjencë kombëtare pasi vendi ynë nuk ka kapacitetet e nevojshme pritëse për një fluks kaq të madh refugjatësh.

Greqia dhe Shqipëria janë dy vendkalimet kryesore të refugjatëve nga vendet e Lindjes. Një pjesë e prurjeve të këtij fluksi në pritje mendohet se do të mbeten në këto vende, ndërsa të tjerë do të vijojnë udhëtimin drejt perëndimit të Evropës.