Me marrëveshjen e Prespës ekzistojnë parakushte që të dalim nga qorrsokaku i viteve paraprake

Me Marrëveshjen e Prespës ekzistojnë parakushte që të dalim nga qorrsokaku në dobi të Ballkanit dhe të dy vendeve, thotë ministri alternativ i Mbrojtjes të Greqisë, Panajotis Rigas në intervistën për gazetën greke “Dokumento”, raportoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

“Bëhet fjalë për një problem shumëvjeçar që aspak nuk e krijuam ne. Qeveritë paraprake kanë investuar në nacionalizmin ekstrem dhe jo në patriotizëm, duke e çuar situatën në një qorrsokak”, thotë Rigas duke shtuar se sot ekzistojnë parakushte që të dalim nga ky qorrsokak në dobi të Ballkanit, të Greqisë dhe të IRJM-së.

“Në këto korniza, si vendet e Evropës ashtu edhe SHBA-ja dëshirojnë që të zgjidhjet kjo çështje konkrete sepse e kuptojnë se Ballkanin nuk i nevojiten më probleme të reja”, thotë ai duke theksuar se gjërat që duhet ta interesojnë Greqinë kanë të bëjnë me Turqinë.

Ministri alternativ i Mbrojtjes në Greqi në intervistë flet edhe për dialogun strategjik në një nivel të lartë midis SHBA-së dhe Greqisë, që muajin e ardhshëm do të mbahet në Uashington, ndërsa ka të bëjë me zgjerimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat.

Rigas zbulon se një pjesë e këtij dialogu strategjik janë edhe “çështjet ekonomike dhe energjetike me kriter kryesor zhvillimin e Ballkanit”.