Mediat serbe: Me planin e Merkel serbët fitojnë të drejtën e shkëputjes nga Kosova

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka bërë një propozim se si sipas saj do të duhej të zgjidhej çështja në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Mediumi serb Telegraf.rs, duke iu referuar burimeve brenda Partive Popullore Evropiane (EPP), ka dhënë detajet e planit të Merkel.

Gjermania ka deklaruar qartë se kundërshton ndryshimin e kufijve, apo çdo lloj ndarjeje. Sidoqoftë, sipas detajeve të planit të Angela Merkel, ndarja në fund të gjithë procesit nuk përjashtohet, transmeton Klan Kosova.

Ky plan thuhet se do të implementohet në terma afatshkurtër dhe afatmesëm.

Në fazën e parë, duhet të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, për të cilin kancelaria Merkel ka qenë këmbëngulëse në takimin e fundit më Hashim Thaçin.

Të vetëdijshëm se për serbët formimi i ASK’së është i papranueshëm si organizatë joqeveritare, që thuhet se është synim i Prishtinës, Merkel ka në planin e saj që Asociacionit t’i jepet më shumë fuqi, me fjalë të tjera “ASK plus”.

Në mënyrë që të formohet Asociacioni dhe të ketë funksionin e duhur, organet tjera duhet të bashkëpunojnë me Serbinë. Kështu mund të kishte fuqinë e vërtetë dhe që qytetarët të jetonin më mirë.

Në anën tjetër, sipas planit të Merkel, duhet të verifikohet situata në terren, njohje pa njohje. Sipas kësaj do të vinte deri te “normalizimi i marrëdhënieve”: Beogradi do të pajtohej “ta njihte realitetin, por jo pavarësinë” përderisa Prishtina do të ishte e kënaqur që të mos pengohej që të bëhej anëtare e organizatave ndërkombëtare.

Sipas këtij burimi në EPP, këto janë pikat që duhet të implementohen në afat të shkurtët.

Kurse për finalen e madhe duhet të pritet për 20 vjet.

Pas kësaj periudhe, një referendum për shkëputje do të mund të mbahej në Komunat me Shumicë Serbe, çka do të krijonte mundësinë reale që pjesët e Kosovës në të cilat jeton popullsia serbe të kthehej nën kompetencën efektive të Beogradit