Mediat, ylli i Interit kalon te Arsenali

Pas barazimit ndaj Sasuolos, Interi pësoi një humbje në transfertë ndaj Torinos duke u mundur me rezultatin e ngushtë 1-0. Një nga mungesat e shumta të zikaltërve në këtë takim, ishte kroati Ivan Perisiç, i cili nuk vuante nga një dëmtim, por ishin çështje të tjera që lidheshin me merkaton ato që e lanë jashtë fushës së blertë. Mediat italiane janë të bindura se Perisiç e ka arritur tashmë akordin me Arsenalin dhe se dëshira e tij është që të kalojë në Premier Ligë duke qenë se në Itali nuk po kalon një moment të mirë, Anglia mund të ishte destinacioni i duhur. ‘Topçinjtë’ kanë ofruar në drejtim të Interi 5 milionë euro tani për ta huazuar deri në fund të sezonit, ndërkohë që në verë do të paguhen edhe 35 milionë euro të tjera. Interi në fakt ka kërkuar që pagesa të bëhet e menjëhershme në mënyrë që drejtuesit zikalëtr të mund të afrojnë ndonjë futbollist në këtë janar. Vetë Perisiç do të përfitonte 3 milionë euro deri në qershor dhe 6.5 milionë euro deri në vitin 2022.