Mhill Gjuraj, patriot i devotshëm, shembull i përkushtimit për komunitetin shqiptar në Amerikë

Të flasësh për lidhjet e shqiptarëve me amerikanët, është e pamundur të tejkalohet emri i një humanisti dhe kontribuuesi të çështjes kombëtare, biznesmenit dhe veprimtarit kombëtar. Mhill Gjuraj.

Në sheshin qendror të qytetit Waterbury Connecticut të ShBA-së, Mhill Gjuraj ngriti flamurin e Kosovës, duke u shpallur “Kryetar i Ditës” – The Mayor of the Day”. Ky ishte edhe rikonfirmim se komuniteti shqiptaro-amerikan në Amerikë njihet gjithmonë si kontribuuesi kryesor për pavarësinë e Kosovës dhe forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane.

Kush është Mhill Gjuraj?

“Kryetar i Ditës – The Mayor of the Day”, Mhill Gjuraj, është një biznesmen, humanist aktiv dhe aktivist i çështjes kombëtare.

“Faleminderit Amerikë për çdo gjë që keni bërë për shtetin e Kosovës. Zoti e bekoftë Amerikën dhe Zoti e bekoftë Kosovën!”, pati thënë me pak fjalë njeriu që u zgjodh ta ngrehë flamurin e Kosovës në sheshin qendror të qytetit Waterbury-it.

Kjo ishte porosia e z. Gjuraj, për të gjithë shqiptarët që jetojnë jo vetëm në Amerikë, por në mbarë diasporën: “Ata që e ndiejnë vetën shqiptarë, sidomos ata që ia duan të mirën kombit shqiptar, të bëhen bashkë siç kanë qenë gjithmonë në shërbim të atdheut dhe të kombit”.

Prejardhja

Familja e z. Mhill Gjuraj është me origjinë nga Iballja e Pukës, i vendosur në Sfërkë të thatë të Pejës.

Humanizmi dhe atdhedashuria kanë bërë që familja Gjuraj të jetë e përndjekur vazhdimisht nga pushtimi serb, ku edhe jeta e tyre u bë e vështirë, andaj kjo familje vendosi ta marrë rrugën e migrimit.

Më 1972, Mhill Gjuraj bashkë me familje u largua nga Kosova drejt Italisë, ndërsa në nëntor të vitit 1973, pas 16 muajve, tërë familja, baba, nëna dhe shtatë fëmijët e tyre, pasi u pajisën me dokumente italiane, emigruan drejt Amerikës.

Në fillim u vendosën në Bronx të New York, ku ndenjëm gati një muaj dhe pastaj u shpërngulën për Stamford të Cinnecticut. Z. Gjuraj aty filloi punën në një restorant italian për të vijuar me veprimtari tjetër, patundshmërinë si fushë që i sillte më shumë leverdi.

Ai për “Epokën e re” ka treguar se pasi nuk fitonte shumë para, filloi edhe një punë të dytë, në të cilën punoi katër vjet, dhe më pas kishte blerë një shtëpi të cilën e riparoi dhe më vonë e shiti me një çmim të dyfishtë. Nga ky moment filloi të merret me këtë biznes me patundshmëri, duke u bërë një nga biznesmenët më të suksesshëm shqiptarë në Nju Jork.

Jeta dhe veprimtaria e shquar atdhetare, humanitare, fetare dhe sukseset në biznes, kanë bërë që Mhill Gjuraj të jetë një shembull i mirë që duhet ndjekur çdo shqiptar kudo që ndodhet. Si i tillë ky shqiptar i suksesshëm është figurë model për gjeneratat e reja se si ndershëm, me punë, mund e djersë, mund të kontribuosh jo vetëm për vete, por edhe në tabanin kombëtar si aktivist i palodhur i çështjes shqiptare.

Gjuraj ishte mbështetës i veprimtarive me interes nacional kudo në Amerikë, duke përfshirë Fondin e Qeverisë së Kosovës e Fondin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Organizimi i darkave për mbledhjen e fondeve për qëllime humanitare dhe politike, ishte një angazhim i vazhdueshëm i z. Gjuraj, aty, me atë rast mblidheshin fonde për çështjet me interes nacional, lobim pranë institucioneve amerikane si dhe promovimin e çështjes shqiptare.