Ministri Hasani dhe kryetari i Vushtrrisë, Tahiri nënshkruajnë marrëveshje për fillimin e investimeve në Zonën Ekonomike

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri sot kanë nënshkruar marrëveshje për fillimin e investimeve në Zonën Ekonomike në Lum të madh të kësaj komune. MTI do të investoj në këtë Zonë, rreth 1.5 milion euro.

Ministri Hasani ka thënë se kjo Zonë do të mundësojë kushte më të mira për bizneset dhe krijim të vendeve të reja të punës për qytetarët e Vushtrrisë, shkruan Gazeta Monitor.

“Sot bashkë me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri nënshkruam marrëveshjen për fillimin e investimeve rreth 1.5 milion euro në Zonën Ekonomike në këtë komunë, gjegjësisht në Lum të madh.

Me krijimin e kësaj Zone, synojmë që bizneseve të Vushtrrisë tu krijojmë kushte më të mira për punë dhe po ashtu të krijojmë vende të reja të punës në sektorin privat  për qytetarët e Vushtrrisë.”, ka thënë ministri Hasani. Ai po ashtu është shprehur se përveç krijimit të kushteve më të mira për bizneset dhe krijimit të vendeve të reja të punës, kjo është një mundësi e mirë që në Vushtrri të kemi edhe investime nga jashtë të cilat do krijonin një zhvillim më të mirë ekonomik të kësaj komune.

Edhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se kjo është një ditë e madhe për qytetin që ai e drejton. Sipas tij është investimi më i madh në 50 vitet e fundit në këtë komunë.

“Sot është një ditë e shënuar për Komunë e Vushtrrisë kemi nënshkruar marrëveshjen për fillimin e investimit në Zonën Ekonomike  në Lum të madh , është një hapësirë prej 14,8 ha që është pronë komunale  dhe që do të jetë  në funksion të zhvillimit të biznesit dhe të krijimit të vendeve të reja të punës në Vushtrri.  Ky është investimi më i madh në 50 vitet e fundit për biznesin , për të mundësuar kushte më të mira.  Dua të falënderoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kuvendin që ka ndarë buxhetin dhe juve  z. Ministër për  azhuritetit që të kemi sot nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Shumë shpejt do të fillojnë investimet  në Zonën Ekonomike në Lum të madh”, ka thënë kryetari Tahiri. /Gazeta Monitor/

Loading...