Ministri i Kosovës, Pacolli u tregoi shqiptarëve të RMV-së për kë të votojnë në rrethin e dytë

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli ka vlerësuar lartë procesin zgjedhor të 21-prillit të 2019-s në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), ndërkaq ka bërë thirrje që në rundin e dytë zgjedhor, shqiptarët duhet të bëhen bashkë në mbështetjen e atij kandidati që garanton rrugën pa kthim kah integrimi euroatlantik, transmeton Portalb.mk.

“Tash është koha që në raundin e dytë në emër të avansimit të statusit të tyre brenda kuadrit kushtetues, shqiptarët të bëhen bashkë në mbështetjen e atij kandidati që garanton rrugën pa kthim kah integrimi euroatlantik i Republikës së Maqedonisë së veriut. Kësisoj vota shqiptare do të peshojë më shumë dhe ata do të rrisin peshën e tyre politike brenda institucioneve si qytetarë të barabartë të shtetit fqinjë”, tha Pacolli në rrjetin social “Fejsbuk”.

Duke folur për rrjedhën e votimit gjatë ditës së djeshme, Pacolli tha se ai shënoi një hap për pjekuri demokratike, ndërkaq kandidatura e Blerim Rekës e pasuroi ofertën politike.

Përndryshe, thirrje që në mënyrë masive të dilet në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, 5 maj 2019 ka bërë edhe zëdhënësja e Bashkimit Evropian (BE), Maja Kocijançiq.