Papa mysafir i shpeshtë në Ballkan – por pse po e refuzon Kosovën?

 

Papa Françesku është treguar mjaftë i gatshëm për të vizituar vende të ndryshme nëpër botë. Në Ballkan, ai ka ardhur 4 herë në Shqipëri, Bullgari, e Turqi (pjesa europiane e saj llogaritet Balllkan), si dhe në Maqedoni, vizitë të cilën e kreu dje. Kosova ka ftuar Papën disa herë por nuk ka arritur ta sjellë këtu.

Liderët kosovarë e kanë destinacion të shpeshtë Vatikanin ku priten në audienca nga kreu i Kishës Katolike. Por deri më tani këto vizita kanë qenë të njëanshme. Nga lidershipi kosovar janë dërguar shpesh ftesa në Vatikan me qëllim që Papa të vijë në Kosovë. Kështu ka ndodhur edhe me Papën e fundit, Franceskun, i cili është treguar mjaftë i gatshëm për të vizituar vende të ndryshme nëpër botë. Në Ballkan, ai ka ardhur 4 herë, në Shqipëri, Bullgari, e Turqi (pjesa europiane e saj llogaritet Ballkan), si dhe në Maqedoni, vizitë të cilën e kreu dje. Kosova ka ftuar Papën disa herë por ka dështuar ta sjellë këtu.   Nuk dihet nëse kjo ka të bëjë me refuzimin e Vatikanit për ta njohur Kosovën.

Edhe nga Ipeshkvia e Kosovës nuk kanë munguar këto përpjekje. Kisha Katolike e Kosovës kishte provuar ta sjell prijësin e saj në Kosovë dy vite më parë, më saktë në shtator të vitit 2017, kur ishte inauguruar Katedrala Nënë Tereza. Por, edhe kësaj here pa sukses. S’kishte ndihmuar as emri i Nënë Terezës që Vatikani e kishte shpallur shenjtore.  Në inaugurim kishte marrë pjesë i dërguari i posaçëm i Papa Françeskut, kardinali shqiptar Ernest Simoni.

Me rastin e vizitës së Papës në Shkup Gazeta ka kontaktuar Dom Lush Gjergjin, i cili është shprehur optimist për një vizitë të tillë.

Gjergji i ka thënë Gazetës Express se Papa Françesku do të vizitojë edhe Kosovën. Por, për datën se kur do të ndodhë kjo vizitë thotë se është e vështirë të flitet njëherë.

“Është vështirë të flitet për ndonjë kohë se kur do të ndodhë kjo vizitë. Por, me siguri që do të ndodhë, meqenëse ai i viziton zakonisht vendet e vogla dhe specifike siç ka qenë edhe vizita e tij në Shqipëri, Bullgari e së fundi edhe në Maqedoninë Veriore”, ka thënë ai.

Don Lush Gjergji thotë se vizita e Papës nuk bëhet vetëm me ftesa të liderëve, duke aluduar kështu për ftesën që i kishte bërë Presidenti Thaçi. Deklaron se vizita do të bëhet vetëm atëherë kur plotësohen kushtet.

“Vizita e Papës nuk bëhet vetëm pse liderët i dërgojnë ftesa, pra nuk bëhet vetëm me ftesë. Vizita bëhet atëherë kur plotësohen kushtet. Siç e dini një vizitë e tillë ishte planifikuar të bëhej para tri vitesh, por që ishte anuluar për shkak të rrethanave”, ka thënë Don Gjergji.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe në Presidencën e Kosovës, për të marrë informata nëse ata kanë pranuar ndonjë konfirmim lidhur me ftesën që i kishte bërë Thaçi Papa Françeskut në vitin 2017’të, por në këtë institucion si zakonisht nuk kanë kthyer përgjigje. Një përpjekje për ta cuar Papën në Serbi më 2018  e kishin bërë edhe udhëheqësit serbë, por Kisha atje kishte thënë se nuk është koha për një vizitë të tillë.