Morandi, njeriu që jeton i vetëm në ishull

Historia e tij u ngjan personazheve të Zhyl Vernit apo Robinson Kruzosë së Daniel Defos. Prej 29 vjetësh, Mauro Morandi ka vendosur të izolohet nga pjesa tjetër e botës dhe t’ia dedikojë jetën e tij një ishulli të vetmuar në Sicili. Ai mbërriti në ishullin Budelli krejt rastësisht përmes një barke dhe i magjepsur nga pamja e ishullit vendosi të qëndrojë aty duke u bërë roje i ishullit. Pa njerëz të tjerë, pa energji elektrike e madje edhe pa ujë të pijshëm, Morandi ka krijuar me mjete rrethanore vendbanimin e tij.

Ka ndërtuar panele diellore, ndërsa si ujë përdor vetëm ujin e shiut. Morandi thotë se ditët e tij aty janë të ndryshme. Në dimër zakonisht lexon deri në 30 apo 40 libra, që për të janë miqtë më të mirë. Teksa flet për ishullin thotë se që ai të krijohej janë dashur 10 mijë vjet, ndërkohë që njeriu e shkatërron për 20 vjet. “Në 29 vjetët e fundit nuk jam sëmurur kurrë. Madje as të ftohtë nuk kam marrë në dimër. Besoj se do të qëndroj këtu për aq kohë sa shëndeti im të ma lejojë. Truri im është i qetë. Jam në paqe dhe vetëm jetoj shumë mirë”, ka treguar ai.