Moti i keq, edhe dy ditë/ Policia apel pushuesve: Kujdes nga dallgët në det

Prej së dielës i nxehti afrikan i ka lënë vendin stuhive. Reshjet e shiut që u përplasën në Shqipëri më herët shkaktuan stuhi në Itali por edhe viktima.

Dje për shkak të motit një 33 vjeçar nga Tirana u mbyt në det nga dallgët e forta. Ndërsa në plazhet e Velipojes dhe Durrësit janë shpëtuar nga policia dhe rojet e plazhit, dhjetëra persona që rrezikonin mbytjen.

Era e fortë e dallgët e shumta kanë bërë që edhe pushuesit të lënë bregun e detit.

As dëmet materiale nuk kanë munguar. Në zonat bregdetare stuhia e erës ka sjellë dëme të shumta, ndërkohë që meteorologët shprehen se moti i keq do të vijojë deri në përfundim të muajit korrik.
Në të gjithë vijën bregdetare korriku duket se do të mbyllet me dallgëzim të shtuar në det, ç’ka bën që meteorologët tu bëjnë apel pushuesve që të tregojnë kujdes.

Policia e shtetit ditën e djeshme, pasi shpëtoi nga mbytja 15 pushues, në Velipojë, Vlorë e Sarandë, u bëri apel pushuesve në zonat bregdetare që të shmangin daljet në det me varka dhe motora uji për shkak të motit të keq.