Ndërlikimet e enëve periferike të qarkullimit të gjakut

Mosfunksionimi siç duhet i enëve periferike të gjakut mund të çojë në shfaqjen e ndërlikimeve të shumta shëndetësore. Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”, se cilat janë problemet më të shpeshta të enëve periferike të qarkullimit të gjakut.

Sipas mjekes këto probleme kanë të bëjnë me sëmundjen e arterieve periferike, aneurizma, sindromin “Raynaud”, sëmundjen “Buerger “, sëmundjen e venave periferike, si dhe edemat limfatike, venat varikoze, etj.

Në vijim të shkrimit do të gjeni shenjat dalluese që shfaqen në secilin rast, si dhe kujdesin që duhet treguar për parandalimin e këtyre ndërlikimeve. Vonesat në trajtimin e ndërlikimeve të shfaqura mund të çojnë në pasoja të rënda shëndetësore.

Gjithçka duhet të dini për sëmundjet e arterieve periferike

Ashtu si enët kryesore të mureve të zemrës (arteriet koronare) dhe arteriet periferike (ato që dalin jashtë zemrës) mund të zhvillojnë arteriosklerozë, pra në muret e tyre mund të vendosen depozitat e yndyrës dhe të kolesterolit në formën e pllakëzave. Me kalimin e kohës kjo çon në ngushtimin e arteries përkatëse.

Ndërlikimet që shfaqen dhe shenjat dalluese

Si rezultat, arteria e ngushtuar çon më pak gjak në atë zonë ku ka ndodhur ngushtimi dhe si pasojë do të ndodhë situata e quajtur “ishemia“.

Me “ishemi“ kuptojmë rrjedhjen e pamjaftueshme të gjakut në indet e trupit. Në rastin e bllokimit të arterieve koronare shkaktohet simptoma e dhimbjes së gjoksit (angina pectoris) ose edhe një sulm i mundshëm në zemër.

Në rastin e bllokimit të arterieve karotide (arteriet që furnizojnë trurin me gjak, që ndodhen në të dy anët e qafës) mund të kemi një sulm të përkohshëm ishemik, por edhe një goditje në tru.

Një bllokim i arterieve të këmbëve mund të çojë në dhimbje të vazhdueshme të këmbëve, ose dhimbje gjatë aktivitetit (klaudikacio), ndryshime në ngjyrën e lëkurës, plagë, ose ulcera dhe shfaqjen e ndjenjës së lodhjes në këmbë. Humbja totale e qarkullimit mund të çojë në gangrenë e deri në humbje totale të gjymtyrëve (amputacion).

Një bllokim në arteriet renale (arteriet që furnizojnë veshkat më gjak) mund të çojë në furnizimin jonormal të veshkave, në hipertension të pakontrolluar (tension i lartë i gjakut), si edhe në insuficiencë kardiake (pamjaftueshmëri e punës së zemrës).

Çfarë është “Aneurisma”

Një çrregullim i shpeshtë është edhe aneurisma, me të cilën kuptojmë një fryrje jo normale të enëve të gjakut. Ato mund të formohen në çdo enë të gjakut, por më shpesh ndodhin tek aorta, që është ena kryesore e gjakut që del nga zemra.

Më kryesore janë aneurizmat e kraharorit dhe të barkut. Aneurizmat e tjera janë në përgjithësi të vogla dhe nuk paraqesin rrezik për jetën.

Megjithatë, ato janë faktor risku për zhvillimin e arteriosklerozës dhe formimin e trombeve të cilat mund të zhvendosen gjithandej në trup. Rritja e vazhdueshme e aneurizmës shtyp organet përreth dhe shkakton dhimbje. Aneurisma mund të çahet (rupturohet) pasi muri i arteries këtu është shumë i hollë dhe i brishtë. Një rupturë e papritur e një aneurisme të aortës mund të jetë kërcënim për jetën.

Sindromi “Raynaud”

Ky sindrom përbëhet nga spazma (tkurrje) të arterieve të vogla të gishtave të duarve dhe nganjëherë edhe të këmbëve, të shkaktuara nga të ftohtit, apo ngacmime të tjera (për shembull ekspozime profesionale).

Episodet prodhojnë mungesë të përkohshme të furnizimit me gjak në atë zonë, duke bërë që lëkura të duket e bardhë, apo e kaltër, e ftohtë dhe e mpirë. Në disa raste, sindromi Raynaud (Rejno) mund të lidhet me sëmundjet themelore imune (lupus, artrit reumatoid, sklerodermia).

Shenjat dalluese të sëmundjes “Buerger”

Kjo patologji prek më së shpeshti arteriet e mesme dhe të vogla, venat dhe nervat. Megjithëse shkaku është i panjohur, ekziston një lidhje e fortë me prirjen e duhanit, ose me ekspozimin ndaj tymit të tij. Arteriet e krahëve dhe të këmbëve ngushtohen, ose bllokohen duke shkaktuar mungesë të furnizimit me gjak (ishemia) në gishta, duar dhe këmbë në të cilat pacienti përjeton dhimbje, madje edhe në pushim.

Në bllokimet e rënda indet pësojnë nekrozë (vdesin) dhe kjo kërkon amputimin (prerjen) e gishtave, ose edhe të komplet gjymtyrës. Tek pacientët me sëmundjen “Buerger” ndodh shpesh inflamacioni (infeksioni) sipërfaqësor i venave, si edhe sindromi Raynaud (Reino).

Sëmundja e venave periferike

Venat janë elastike dhe të pajisua nga brenda me valvula (kllapa). Kur muskujt kontraktohen, valvulat hapen dhe gjaku lëviz nëpër vena. Kur muskujt relaksohen, valvulat mbyllen duke e mbajtur rrjedhjen e gjakut në një drejtim përmes venave. Nëse valvulat dëmtohen, ato nuk mund të mbyllen plotësisht. Kjo lejon që gjaku të rrjedhë në të dy drejtimet (lart e poshtë).

Kjo mund të shkaktojë grumbullim të gjakut ose ënjtje të venave. Ato fryhen dhe shfaqen si litarë nën lëkurë. Kjo rrit rrezikun e formimit të koagulave të gjakut (trombeve). Nëse ky problem nuk kontrollohet, lëngu do të rrjedhë në indet përreth dhe kjo mund të shkaktojë dëmtime të lëkurës dhe ulceracione (plagë të thella).

Edemat limfatike

Një problem mjaft i ndeshur është edhe edema limfatike. Sistemi limfatik është një sistem qarkullimi që përfshin një rrjet të gjerë të enëve limfatike dhe të nyjave limfatike. Sistemi limfatik ndihmon në koordinimin e funksionit të sistemit imunitar për të mbrojtur trupin nga agjentët e huaj.

Limfedema është një grumbullim jo normal i lëngjeve që shkakton enjtje më shpesh në krahë, apo në këmbë. Limfedema zhvillohet kur enët apo nyjet limfatike mungojnë, ose dëmtohen.

Limfedema primare është e rrallë dhe përgjithësisht shkaktohet nga mungesa e disa enëve limfatike apo anomali të tyre në lindje. Limfedema sekondare ndodh si rezultat i një bllokimi, ose ndërprerjeje në sistemin limfatik. Kjo mund të vijë nga një infeksion, sëmundje malinje, ndërhyrje kirurgjikale, traumë, trombozë e thellë venoze, trajtimi me rrezatim (sëmundje malinje), etj.

Venat varikoze

Fenomen mjaft i ndeshur në praktikën tonë klinike janë edhe venat varikoze të cilat shpesh nuk shkaktojnë simptoma klinike përveç paraqitjes së padëshiruar estetike. Megjithatë, disa pacientë që vuajnë nga variçet mund të kenë simptoma që përfshijnë ngacmim, enjtje, dhembje, djegie, kruajtje, ndjenja të shpimit ose ngërçi (shtrëngimi) në këmbë.

Këto simptoma shpesh përkeqësohen gjatë qëndrimit ulur. Komplikacionet e venave varikoze janë të rralla dhe më shpesh shprehen me ulcera të lëkurës që shpesh mund të çojnë edhe në infeksione të indeve më të thella. Disa individë zhvillojnë gjithashtu mpiksjen e gjakut brenda venave (tromboflebiti sipërfaqësor). Mund të ndodhë gjakderdhja e lokalizuar nga venat dhe variçet.

Masat që duhet të merren në këto raste

Masat konservative që mund të ndërmerren për zbutjen e simptomave klinike të venave mund të ndihmojnë në parandalimin e komplikacioneve të ndryshme. Një masë e tillë është përdorimi i çorapeve të kompresionit.

Këto ndihmojnë në përmirësimin e qarkullimit duke rritur presionin te këmbët. Një program i rregullt i ushtrimit fizik mund të ndihmojë në humbjen e peshës dhe në lehtësimin e simptomave të venave varikoze. Individët e prekur nga këto çrregullime duhet të shmangin qëndrimin ulur për kohë të gjatë dhe ndërsa flenë, këmbët duhen ngritur me një jastëk mbi nivelin e kokës për të përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe të shmangin enjtjen e këmbëve.

Po ashtu është e rëndësishme të shmanget qëndrimi këmbë mbi këmbë si edhe veshjet e shtrënguara rreth belit dhe ijeve. Sot, përveç kirurgjisë ka metoda të ndryshme për trajtimin e venave varikoze (variçet) të cilat mund të zbatohen qoftë edhe për arsye estetike (skleroterapia, terapia me lazer)./dita/