Ndryshimet kushtetuese kalojnë fazën e parë

Komisioni për Çështje Kushtetuese i ka miratuar të katër propozim amendamentet për ndryshimet kushtetuese që burojnë nga Marrëveshja e Prespës. Bëhet fjalë për amendamentet 33, 34,35 dhe 36 dhe të njejtat synojnë ndryshime në nenin 3, 36, 49 dhe në Preambulë.

Amandamenti 33, apo i pari nga 4 amendamentet ka të bëjë me ndryshimin e emrit të shtetit, gjegjësisht zëvendësimin e emrit “Republika e Maqedonisë” dhe “Maqedonia” me “Republika e Maqedonisë së Veriut” dhe “Maqedonia e Veriut” në secilin vend që përmenden në Kushtetutë, përveç në nenin 36 ku përmendet në aspekt historik.

Amendamenti 34, gjegjësisht i dyti nga 4 amendamentet përfshin ndryshimet që do të bëhen në preambulën e Kushtetutës, ku vendimet e KAÇKM-së do të zëvendësohen me shpalljen që i është bërë qytetarëve nga seanca e parë e KAÇKM-së , si dhe shtohet Marrëveshja e Ohrit me qëllim që të konstituohet elementi shtetëror.

Me amendamentin e tretë shtohet një paragraf dhe ka të bëjë me sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje.

Komisioni për Çështje Kushtetuese e ka kaluar edhe propozim amendamentin e katërt me të cilin në Kushtetutë do garantohet përkujdesja e shtetit ndaj qytetarëve të saj që jetojnë jashtë vendit por edhe vlerat e tyre kombëtar e kulturore.

Këto amendamente i ka propozuar Qeveria dhe Anëtarët e Komisionit për Çështje Kushtetuese për të njëjtat kanë diskutuar vetëm pesë ditë edhe pse për të njejtat ishin paraparë 12 ditë për diskutime.

Kjo është faza e dytë e procesit të ndryshimit të Kushtetutës në pajtim me Marrëveshjen e Prespës. Amendamentet tani do të shqyrtohen edhe në komisionin juridiko-logjvënës, e më pas edhe në seancë plenare e cila është përcaktuar për më 1 dhjetor. Pas kësaj, ndryshimet kushtetuese do të kthehen në shqyrtim publik ku mund të pësojnë ndryshime dhe plotësime.

Tani amendamentet mund të miratohen me shumicë të thjeshtë prej 61 votave, ndërsa më pas do të shkojnë në diskutim, kurse kohëzgjatjen e cakton Parlamenti. Vendimi përfundimtar për miratimin e amendamenteve sillet me dy të tretat e votave të deputetëve. Për amendamentin e preambulës së Kushtetutës përveç dy të tretave, i nevojshëm është edhe votimi me Badenter.

Gjatë debatit në Kuvend nga shumica parlamentare kanë përsëritur se ndryshimet kushtetuese nuk e rrezikojnë identitetin maqedonas dhe kanë nënvizuar se ndryshimet do të hyjnë në fuqi vetëm pasi Parlamenti grek ta ketë ratifikuar marrëveshjen dhe pasi ta ratifikojë protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Kujtojmë se më 19 tetor deputetët në Kuvend me 80 vota “për” sollën vendim për hapjen e Kushtetutës dhe ndryshimin e saj sipas Marrëveshjes së Prespës. “Pro” ndryshimeve kushtetuese votuan edhe tetë deputetë të VMRO-së dhe koalicionit të saj.