Në Zhelinë dhe Bogovinë nuk ka të paraqitur për votimin e sotëm, në Tetovë prej 14 kanë votuar dy

Në komunat e Tetovës Zhelinë dhe Bogovinë nuk ka të paraqitur të cilët për shkak të sëmundjes sot do të votonin nga shtëpia.

“Në komunën e Bogovinës nuk janë paraqitur të sëmurë, prandaj atje sot nuk ka votime”, bëri të ditur kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor, Bekir Bekiri.

Në komunën e Jegunovcit deri në orën 15 kanë votuar 21 persona nga 22 sa janë paraqitur. Në Komunën e Bërvenicës tre persona e kanë realizuar të drejtën e votës. Në komunën e Tearcës kishte gjashtë votues, përderisa në Komunën e Tetovës nga 14 të paraqiturit kanë votuar dy.

Në gjashtë komunat e rajonit të Tetovës nesër në zgjedhjet presidenciale mundësi për votim do të kenë gjithsej 181.933 qytetarë në gjithsej 265 vendvotime.

Në komunën e Tetovës, ka 83.367 votues të shpërndarë në 117 vendvotime. Në Bogovinë ka 27.501 votues dhe 38 vendvotime. Në Zhelinë komisioni komunal zgjedhor ka 23.510 fletëvotime, ndërsa numri i vendvotimeve është 35.

Komuna e Tearcës numëron 22.116 votues dhe 30 vendvotime. Në Bërvenicë ka 24 vendvotime ku mund të votojnë 15.268 votues. Në komunën e Jegunovcit janë regjistruar 10.171 votues dhe 21 vendvotime.