Ngjarja në Radhimë, si u tentua të therej polici dhe plagosja e agresorit

Policia ka dhënë një deklaratë zyrtare në lidhje me ngjarjen e ndodhur këtë pasdite në Rradhimë, ku fillimisht u raportua se një i kërkuar nga drejtësia ka qëlluar me armë drejt efektivëve që kishin shkuar për ta arrestuar.

Policia sqaron se në momentin kur uniformat blu kanë ndërhyrë për t’i vënë prangat, shtetasi 38 vjeçar Gaqo Gjini ka tentuar të godasë me thikë njërin nga efektivët. Në këto kushte policia ka qëlluar mbi 38 vjeçarin, duke e lënë të plagosur në këmbë.

“Sot në Radhimë, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë, të mbështetura nga forcat speciale RENEA, në zbatim të një plani masash për kapjen e një personi në kërkim, ishin duke kryer operacion në banesën e shtetasit të shpallur në kërkim Gaqo Gjini, 38 vjeç.

I kërkuari ka rezistuar duke tentuar të godasë me mjete prerëse një prej punonjësve të Policisë.

Efektivi në kushtet e vetëmbrojtjes e ka neutralizuar duke e goditur me armë një herë në këmbë.

Shtetasi G.Gj. është transportuar për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

38 vjeçari ishte shtetas i shpallur në kërkim për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “undërshtim i punonjësve të policisë”, dhe ”Armëmbajtje pa leje”.

Vijon puna nën mbikqyrjen e Prokurorisë Vlorë dhe SHÇBA-së, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia e Shtetit në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë gjatë sezonit turistik, po ushtron kontrolle të shumta në të gjitha zonat me risk për evidentimin dhe kapjen e personave me precedentë që janë aktualisht në territorin e vendit apo që mund të vijnë gjatë verës nga rradhët e emigrantëve.

Këto kontrolle janë shtrirë dhe po vijojnë me forca e shërbime shtesë të policisë kriminale dhe agjentë civilë, për të garantuar një ambjet të qetë dhe të sigurt në qytetet si Durrësi, Fieri, Vlora, Lezha e Shkodra.”-njofton policia