Ngjarjet e 27 prillit, Zaev, Spasovski dhe Memedi do të rrëfehen para gjykatës

Me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të propozuar nga prokuroria në Gjykatën Penale në Shkup sot vazhdon procesi gjyqësor për ngjarjet në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë më 27 prill të vitit të kaluar.

Në seancën e sotme, siç është paralajmëruar, duhet të merren në pyetje katër dëshmitarë, mes të cilëve edhe kryeministri Zoran Zaev, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, Vejsel Memedi dhe ish-deputeti Nikolla Todorov.

Në seancën e djeshme u dëgjuan Petre Shilegov dhe Muhamed Zekiri.

Shilegov, gjatë dëshmimit para gjykatës, tha se korridoret në Kuvend janë si në Pentagon dhe se dikush u ka treguar sulmuesve si të arrijnë deri në qendrën për media.

“Pashë si 5-6 policë me helmeta në kokë e lëshojnë hordhinë të hyjë dhe të më vrasë. Hordhi e egër prej 50 njerëzve hyri në qendrën për pres dhe filloi me gjithçka të gjuaj drejt nesh. Kur qëlloni dikë me gjësend me peshë prej 12 kilogramëve, ajo është armë e ftohtë”. tha Shilegov.

Deputeti Zekiri, në deklaratën para gjykatës, tha se në bankën e të akuzuarve mes të akuzuarve e ka parë personin i cili ka pasur armë në sallën për media.

“Personi i cili e mbante armën sot e pashë në bankën e të akuzuarve dhe është ndër të akuzuarit. Atë që të gjithë e dimë është Igor Jug. Unë në deklaratë e kam përshkruar si është dukur njeriu që e mbante armën dhe të cilit i ka rënë arma në sallën për konferenca dhe më pas është ulur për ta marrë”, deklaroi Zekiri pas përfundimit të marrjes në pyetje.

Në seancën e kaluar dëshmuan Damjan Mançevski, Frosina Remenski, Pavle Bogoevski dhe Ilija Nikollovski.

Të pandehurit në rastin për ngjarjet e 27 prillit akuzohen për kërcënim terrorist të rendit kushtetues. Ata para gjykatës thanë se e kuptojnë akuzën, por nuk ndjehen fajtorë.

Në bankën e të akuzuarve në gjykatë janë Luben Arnaudov, Sasho Vasilevski, Kërsto Mukoski, Lupço Dimovski, Johan Tarçullovski, Mitko Çavkov, Mitko Peshovski, Dushko Llazarov, Goran Joshevski – Levi Oliver Popovski, Oliver Radullov, Sasho Markovski, Munir Pepiq, Abdulfeta Alimi, Elena Docevska – Bozhinovska, Ivan Cvetanovski Boris Damovski, Bogdan Ilievski – Betmen, Vllado Jovanovski, Igor Durllovski, Stefan Mladenovski, Mihail Mlladenovski, Zakaria Simovski, Mladen Dodevski, Jane Çento, Goranço Angellovski, Igor Jug, Ilia Sllaveski, Vlatko Trajkov, Viliam Mihajllovski, Nikolla Mitrevski – Koljo , Aleksandar Vasilevski – Ninxha dhe Mitre Pitropovski.

Komentet

komentet