Një nga të kthyerat nga Siria pranon se burri i saj paguhej në baza mujore për pjesëmarrje në luftë

Një nga gratë e kthyera nga Siria në seancën e sotme dëgjimore ka pranuar se bashkëshorti i saj është paguar në baza mujore për pjesëmarrje në luftën në Siri.

Sot është mbajtur seanca dëgjimore për 10 gra të kthyera nga Siria të cilat hetohen për pjesëmarrje në grupe terroriste.

Ishte planifikuar që seanca dëgjimore të mbahej edhe për dy gra të tjera, por që për shkak të gjendjes shëndetësore është pezulluar seanca.

Avokatja Fatlume Sekiraqa pas seancës ka thënë se kanë kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për masën e arrestit shtëpiak. Ajo ka thënë se kanë kërkuar masën e paraqitjes në polici.

Sipas saj, këto të dyshuara në seancën e mbyllur për media kanë thënë se janë penduar për shkuarjen në Siri.