Njohja e ndërsjellë e diplomave proces ‘i ngrirë’

Kosova dhe Serbia kanë ngecur në zbatimin e marrëveshjes së dytë për njohjen e diplomave të marra në dy shtetet përkatëse, marrëveshje kjo e arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli.

Në dialogun teknik, dy shtetet kanë arritur dy marrëveshje sa i përket njohjet së diplomave, njëra e nënshkruar në vitin 2011 dhe tjetra në vitin 2016.

KALLXO.com ka siguruar Raportin zyrtar të Qeverisë së Kosovës  mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.

Në këtë raport janë publikuar shifrat e certifikimit të diplomave pas arritjes së marrëveshjes së parë që hyri në fuqi në vitin 2012.

Certifikimi u bë në periudhën mes vitit 2012-2014 ku në total u lëshuan 375 certifikata të njohjes së diplomave, 362 prej tyre në Kosovë dhe 13 prej tyre në Serbi.

Sipas këtij raporti marrëveshja e vitit 2016 vazhdon të mbetet e pa zbatuar.

“Bashkimi Evropian ka kontraktuar organizatën SPARK për të ofruar asistencë teknike për njohjen e diplomave të arsimit të lartë por  ky projekt ende nuk ka filluar të zbatohet në mënyrë efektive, kështu që procesi i certifikimit të diplomave mbetet i ngrirë”, thuhet  në raport.

Ata po ashtu theksojnë se në zbatim nuk janë marrë fare parasysh gradat e doktoraturës megjithëse nuk përjashtohen nga marrëveshja dhe ngjajshëm për nivelin para-universitar.

“Nuk ka pasur asnjë lëvizje për zbatimin e marrëveshjes në nivelin para-universitar. Sipas raportit të progresit të Qeverisë së Serbisë, ngërçi u shkaktua nga mungesa e fondeve për ndihmë teknike nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu asnjëra palë nuk ka bërë hapa konkretë për ta ndryshuar  dhe plotësuar legjislacionin në mënyrë që të fillojnë zbatimin e kësaj pjese të marrëveshjes”, thuhet tutje në raport.

Universiteti i Mitrovicës së Veriut

Megjithë insistimit të palës serbe, njohja e diplomave që lëshon Universiteti i Mitrovicës së Veriut nuk u përfshi në marrëveshjen mes dy vendeve.

Universiteti i Mitrovicës së Veriut është i licensuar nga UNMIK në vitin 2007 dhe ofron të gjithë kurrikulën në gjuhën serbe.

Ai me ligjin për arsimin në komunat e Kosovës është vënë nën autoritetin e drejtpërdrejtë të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Ai po ashtu vazhdon të punojë me sistemin serb arsimor dhe akreditohet nga organet akredituese të Serbisë.

Megjithatë, shteti i Kosovës vendosi që diplomat e këtij universiteti të njiheshin pas një procesi të certifikimit me qëllim të aplikimit për punë.

“Më datën 30 dhjetor 2015, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar rregulloren për Procedurat dhe Kriteret për Lëshimin e Certifikatave Shtetasve të Republikës së Kosovës të cilët kanë marrë diploma nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut, për qëllim të aplikimit për vende pune dhe për marrjen e licensave dhe provimeve profesionale në institucionet publike. Të gjithë qytetarët e Kosovës të cilët kanë diplomuar në universitetin e Mitrovicës së Veriut që nga viti 2001 kanë të drejtë të aplikojnë për marrjen e certifikatave të vlefshmërisë që kanë diplomuar nga Universitetit i Mitrovicës së Veriut”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com kishte raportuar për çertifikimit e 130 diplomave të lëshuara nga ky universitet.

Kosova Jep Certifikatat e Para për të Diplomuarit Serbë në Universitetin e Mitrovicës së Veriut

 

 

Loading...