Nuk ka përgjigje përse shqiptarët duhet të paguajnë 95% më shtrenjt për makinat e tyre në Zvicër

Federata e Sigurimeve Zvicerane (SVV) nuk ka përgjigje të gatshme për shqetësimin legjitim të Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës (KSHZ) lidhur me lajmin e publikuar këto ditë sipas të cilit shqiptarët në Zvicër paguajnë deri 95 për qind më shtrenjt sigurimin për makinat e tyre, shkruan nzz.ch

Platforma krahasuese Comparis ka risjellë në vëmendje një temë të njohur tashmë, atë që çmimet e premive për sigurimin e automjeteve kanë dallime enorme në varësi të nacionalitetit dhe moshës.

KSHZ ka një pyetje legjitime lidhur me këtë: „Cilat janë arsyet për premitë me çmime kaq të ndryshme, kur është fjala për statusin „shqiptar“? A bëhet fjalë për shqiptarët me vizën B, C apo për shqiptarët me pasaportë zvicereane (të natyralizuar)? Cilat janë arsyet për dallimin në lartësinë e pagesës kur kemi të bëjmë me të huaj që jetojnë në Zvicër?

SVV nuk ka përgjigje të gatshme lidhur me këto shqetësime, transmeton albinfo.ch. Ajo thotë se nuk ka njohuri lidhur me atë nëse kompanitë e sigurimit këtë dallim e bëjnë – sipas statusit të të huajve që jetojnë në Zvicër ose jashtë Zvicrës – për të bërë kalkulimin e riskut. Secila kompani sigurimi ka një hapësirë të lirë veprimi ndërsa caktimi individual i premive është çështje në kompetencë të secilës kompani veç e veç. Por SVV rri pranë qëndrimit se kompanitë në fjalë janë të detyruara që tarifat e tyre t`i bëjnë transparente, me kërkesën e mbikëqyrësit dmth Finma.

Tarifat është e detyruar të bazohen në mënyrë konkrete mbi rreziqe të dëshmuara në mënyrë statistikore, gjegjësisht, mbi një ecuri të dëshmueshme qartë të dëmeve, përcjell më tutje albinfo.ch. Në praktikë ndodh që siguruesit në fakt i vendosin tarifat shumë të ndryshme nga njëra tjetra, me ç`rast ato kanë parasysh para së gjithash pasqyrën e dëmeve që kanë pësuar ato vetë.

Duke qenë se prej më shumë se 20 vitesh në Zvicër funksionion konkurrenca në këtë fushë, ia vlen që për çdo rast, sidomos ngasësit e rinj, të krijojnë vetë një paqsqyrë mbi ofertat e shumta. Kjo për faktin e theksuar më sipër, se secili sigurues (kompani sigurimesh) bën llogari që ndryshon nga tjetri.

SVV sjell në vëmendje faktin se sigurimet u referohen një numri të madh të faktorëve kur e bëjnë caktimin e tarifave. Këtu hyn gjinia (pasi që gratë sipas rregullit shkaktojnë rrezik më pak se burrat), pastaj mosha, vendbanimi, lloji i makinës dhe po ashtu edhe nacionaliteti.

Është e ditur prej kohësh se para së gjithash shoferët e rinj me pasaportë të huaj, fillimisht, nga shumica e siguruesve ngarkohen me pagesa më të larta për sigurimin e makinave, transmeton albinfo.ch. Është dëshmuar statistikisht se numri i aksidenteve të shkaktuara nga ngasësit e rinj është veçanërisht i madh.

Mirëpo secili person që nget makinën pa bërë aksidente dhe që nuk bën vjedhje, është për sigurimin një klient i cili shpejt dhe në mënyrë të përsëritur ka të drejtë për të pasur një bonus, përfundon përgjigja e SVV-së, shkruan NZZ.ch.