Opozita dhe përgjimet, kështu do rrojë Ali Ahmeti edhe 100 vjet

Në një shtet demokratit siç pretendon të jetë RMV-ja, opozita duhet të tregojë se vlen po aq sa partitë qeverisëse, madje në disa raste duhet të jetë edhe disa herë më e zëshme dhe mbi të gjitha konstruktive. Thelbi i demokracisë dhe pluralizmit qëndron në atë se nuk duhet apo më saktë nuk duhet lejuar kurrë që një shtet të shndërrohet në shtet monopartiak por mbi të gjitha të ekzistojë një kontroll i përhershëm dhe intensiv i opozitës në parlament. Në momentin kur kemi një opozitë që fle, nuk mund të kemi një qeveri që jep maksimumin e saj, për arsye se ndjehen mjaftë rehat edhe me mos kryerjen e punëve të caktuara apo qoftë edhe në rastin e shtetit tonë, kalimi pa bërë zë permes situatave të rënda siç ishte skandali me përgjimet të cilat dëshmuan qytetarëve se në çfarë forme zgjidhen gjykatësit, si kryhen punësimet, kush ka gisht në rastet e montuara, si cenohet liria e fjalës e shumë absurditete të tjera. Shpesh thuhet se funksionimi i demokracisë parlamentare nuk mund të imagjinohet pa ekzistencën e opozitës, kjo është një ndër arsyet se pse vendi jonë po udhëhiqet keq, edhe në formë të tillë do vazhdoj deri në momentin kur opozita do ta kuptojë se përveç të drejtave dhe benefiteve që gëzon si parlamentarë, kanë edhe obligime për të cilat votuesit e tyre i kanë zgjedhur të jenë zë për ta dhe të mbrojnë fuqishëm interesat e tyre.

Përveç që është politikisht dhe moralisht i dënueshëm, heshtja dhe roli destruktiv që aktualisht po e luan opozita kundrejt disa skandaleve të një pas njëshme të kësaj qeverie, apo më saktë të partisë shqiptare më të madhe në vend është i dhimbshëm dhe absolutisht i papranueshëm për të gjithë ata qytetarët që në mesin e gjithë këtij zullumi dhe pesimizmi, të vetmen shpresë apo rrugëdalje nga situatat të pa lakmueshme i shihnin partitë opozitare. Në literaturën juridike ekzistojnë dy lloje të cilat i ndajnë partitë opozitare, edhe atë konstruktive dhe destruktive, jo rastësisht si parti opozitare konstruktive konsiderohet ajo opozitë e cila në mënyrë aktive do kritikojë qeverisjen e partisë në pushtet dhe për të njëjtat kritika do të ofrojë zgjidhje. Në këtë mënyrë, qytetarët e shtetit kurrë nuk do të ndjehen sikur gjenden në një udhëkryq pa rrugëdalje mirëpo në momentin kur kërkesat e tyre nuk përmbushen, ata gjithmonë do kenë një krah tjetër për të u mbështetur, që në këtë rast do të duhej të ishte opozita. Si parti opozitare destruktive në interpretimin tim konsiderohen ata parti opozitare të cilat herë pas herë zgjohen nga gjumi për të lëshuar ndonjë kritikë në rrjetet sociale dhe duke mos ofruar zgjidhje për të njëjtat, gjë që opozita shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut po e bën në mënyrë të vazhdueshme.

Ne të gjithë mund të pajtohemi me faktin se jetojmë në një shtet që nuk mund të konsiderohet normal, ku përgjegjësia morale është halli i fundit i politikanëve tanë. Andaj, në momentin kur publikohen dëshmi relevante që tregojnë se shteti është realisht i kapur nga politika, fakte të cilat implikojnë funksionarë aktual në raste të montuara, dëshmi për atë se duhet patjetër të kesh librezë partiake për të u punësuar, dëgjuam se si cënohet një e drejtë të cilën e garanton çdo konventë ndërkombëtare si dhe ligj nacional, e cila është liria e të shprehurit, mbi të gjitha, përmes këtyre përgjimeve patëm mundësinë të shohim se si dhe në çfarë forme emërohen gjykatësit në këtë shtet. Për mua përgjimet dhe dalja në shesh e gjithë këtyre skandale është shumë normale, ngaqë janë gjëra të cilat të gjithë pa përjashtim gjithmonë i kemi ditur se ndodhin vetëm se nuk e kemi pasur mundësinë të i dëgjojmë. Atë të cilën unë e konsideroj si abnormale dhe si mesazh se të gjithë pa përjashtim janë të kapur dhe të përlyer është heshtja e opozitës e cila sot e kësaj dite ende nuk ka dalë me reagim zyrtar në lidhje me këtë. Në një shtet normal këto skandale do të ishin një arsye më shumë për opozitën që të paktën të dale në rrugë dhe të protestojë. Të protestojë derisa sa ta rrëzojë këtë parti e cila tani më edhe dëshmoi se në çfarë forme po udhëheq, mbi të gjitha, të përpiqet ta rrëzojë këtë parti më të madhe shqiptare nga pushteti në mënyrë që të i mbrojë qytetarët e vet nga kjo parti e cila ka kapur shtetin. Sidoqoftë, tani është vonë. Opozita shqiptare në shtet dështoi, në momentin kur iu dha mundësia të shënoj “penallti” ajo vendosi të dale nga loja, kurse mos gjuajtjen e kësaj penaltie ta keni të sigurtë se do ju kthehet boomerang dhe do ju dënojnë votuesit tuaj.