Osmani: Ligji i gjuhëve, meritë e të gjithëve por u përpilua nga BDI-ja

Në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe zërave për zgjedhje të parakohshme parlamentare, partnerët e koalicionit kanë filluar betejën për përvetësimin e meritave të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Raportet mes partnerëve të koalicionit u acaruan posaçërisht pas dërgimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe tekstit alternativ me dispozitat kontestuese në Komisionin e Venecias. Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani duke iu përgjigjur qëndrimit të kryeministrit Zoran Zaev se meritat për ligjin i takojnë LSDM-së dhe partnerëve të koaliciont, për dallim prej ditëve të kaluara sot ka deklaruar se meritat i takojnë çdo deputeti, por duke shtuar se ligji është përpiluar nga BDI-ja.

Të jemi të sinqertë, ligjin e kemi përpiluar ne në BDI dhe këtë zonja Deskoksa e konfirmon publikisht, por meritat i kanë edhe LDSM dhe BDI dhe çdo parti tjetër e koalicionit që kanë votuar. Çdo deputet i cili ka votuar dyherë ligjin i ka meritat, por tash merita më të mëdha do kenë ata të cilët do na ndihmojnë në zbatimin efikas të ligjit- deklaroi Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Betejën për përvetësimin e meritave të ligjit, Zaev e quajti tentativë e disa politikanëve për t’i përvetësuar meritat e të tjerëve. I pari i ekzekutivit pranon se çështja e ligjit po shndërrohet në krizë mes LSDM-së dhe BDI-së.

Kemi krizë sepse disa politikan duan të lavdrohen me meritat e të tjerëve. Në fund, ky ligj nuk është i BDI-së. Ky ligj është i Zoran Zaevit, i LSDM-së, i Besës, partisë turke, partisë së penzionerëve i të gjithve sepse të gjithë e mbështetëm dhe të gjithë e votuam. Ky ligj duhet patjetër të jetë në shpirtin e një shoqërie për të gjithë- tha Zoran Zaev, Kryeministër.

Merita përvetësojnë edhe partitë e tjera parlamentare. Madje Aleanca për Shqiptarët akuzon BDI-në se ka negociuar për ligj tjetër, por që me intervenimin e tyre Ligji për përdorimin e gjuhëve ka marrë trajtën që sot posedon. Kur Ligji për përdorimin e gjuhëve ishte në fazën e propozimit dhe VMRO-ja akuzonte LSDM-në për zbatimin e dygjuhësisë në Maqedoni, LSDM-ja akuzonte partinë e Hristijan Mickoskit që në kohën kur ish kryeministri Nikolla Gruevski negocionte për formimin e shumicës, VMRO-ja kishte ofruar ligj edhe më përmbajtësor dhe që zbatonte gjuhën shqipe në nivel më të gjerë.

Adrian Kerimi