Pacolli për vendimin e vizave: Mundi i Kosovës është shpaguar

Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pas kthimit nga Brukseli ka folur për rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.
Ai ka thënë se është bërë një punë e madhe nga institucionet e Kosovës dhe se ky mund më në fund është shpaguar, raporton lajmi.net.

“Ishte një ditë jashtëzakonisht e bukur dhe e mirë për Kosovën, do të doja shumë që ky unitet të vazhdojë edhe më tutje. Nga dita e pare kur kemi filluar të punojmë, nuk jemi ndalë asnjë moment me kolegët e mij, dhe ky mund është shpaguar”, tha Pacolli.

Tutje, Pacolli tha se sfidat për Kosovën vazhdojnë, mirëpo vullneti dhe dëshira nga pala kosovare nuk mungon.

Ai shtoi se nëse gjithçka shkon ashtu siç është planifikuar, Kosova do të marrë lajme edhe më të mira në fund të këtij viti.

“Sfidat vazhdojnë, mirëpo një e di se vullneti dhe dëshira nuk mungon. Dhe nëse gjithcka shkon ashtu siç është paraparë, në fund të vitit do të kemi lajme edhe më të mira. Jam i bindur që bashkë me shtetet tjera, Kosova një ditë do të bëhet pjesë e shtëpisë së madhe të BE-së. Kemi pasur edhe skeptik, mirëpo tani u them atyre që t’i bashkohen këtij suksesi”, ka përfunduar Pacolli.

Kujtojmë se Kosova këtë vit e përmbushi kriterin e fundit për liberalizimin e vizave, e që ishte ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi.