Pendarovski, gati të nënshkruaje ligjet që pengoi Ivanov

Presidenti Stevo Pendarovski në ditën e parë të mandatit ka përsëritur qëndrimin se do t’i nënshkruajë menjëherë ligjet e refuzuara nga ish presidenti Gjorge Ivanov.

Nga kabineti i tij për Alsat thonë se Presidenti, pas përfundimit të procedurave formale-juridike pas marrjes së funksionit, në afat sa më të shkurtër kohor, do t’i shqyrtojë dhe do t’i nënshkruajë dekretet e këtyre ligjeve.

Një pjesë e tyre kanë kaluar leximin e tretë Në Kuvend kurse pjesa tjetër janë vendosur në rend dite në seancën e 16 majit.

Nuk dihet akoma nëse Pendarovski do të dekretojë fillimisht ligjet të cilat tashmë kanë kaluar leximin e tretë ose do të presin rimiratimin e të gjithë ligjeve të cilat kishin ngecur.

Ligjvënësi për fatin e tyre do të vendosë pas kthimit të kryeparlamentarit Talat Xhaferi nga vizita e tij zyrtare në Vjenë.

Duke qenë se pjesa më e madhe e ligjeve janë reformuese, analisti Agim Jonuz thekson rëndësinë e dekretimit të shpejtë të tyre.

Detyrën e parë të cilën e ka Pendarovski është që të mos jetë si Ivanovi, një gur në rrugë në proceset euro-integruese. Besoj se për shkurt kohë ai do të nënshkruajë të gjitha ligjet të cilat kanë qenë për përparimin e proceseve. Si e dyta, mendoj se kemi fat që ai u bë president sepse ai ka qenë njëri ndër promotorat e proceseve eurointegruese dhe në këtë drejtim ai do të japë një kontribut shumë të madh”-tha Agim Jonuz, analist.

Pendarovski në mesazhin e tij të parë si President, në rrjetet sociale bën thirrje për pajtim qytetar.

Është koha që t’i shërojmë plagët e mbetura nga e kaluara jonë e afërt dhe ta fillojmë vërtetë pajtimin qytetar sepse nuk kemi atëdhe rezervë të cilin do të mund ta quajmë shtëpi. Në këtë rrugë dua të angazhohem pa rezerva, pa mbajtur llogari për rejtingun politik personal. Të gjithë njerëzit qëllimmirë, politikanë dhe parti të cilat vendosin të shkojnë rrugës së njejtë, do ta kenë mbështetjen time”-pohoi Stevo Pendarovski, president.

Në orët e para, Pendarovski priti në takim shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar. Ambasadori Zhbogar shpalosi edhe mundësinë për një vizitë të Pendarovskit në Bruksel gjatë javëve të ardhshme për të takuar krerët e BE-së.

Unë i solla letrën me urime nga Presidenti Tusk dhe Junker. Në letër ata shprehin gatishmëri për të punuar nga afër për të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut si dhe për Evropën tonë të përbashkët. Ne presim të bashkëpunojmë me presidentin në hapat e ardhshëm gjatë ditëve dhe muajve që do ta dërgojnë Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian”-theksoi Samuel Zhbogar, ambasador i BE-së.

Ditën që ju bë përurimi i funksionit, Pendarovski në vilën presidenciale takoi homologët e tij nga rajoni kurse mori urime edhe nga ndërkombëtarët.