Pendarovski, një rrëfim i ri i pa treguar

Stevo Pendarovski askujt nuk i ka borxh individualisht, por borxhi më i madh i tij ndaj vendit është të vendos një standard të ri në ripërkufizimin e rolit të Presidentit në harmonizimin dhe fisnikërimin e raporteve në mes të njerëzve dhe institucioneve, në thellimin e besimit ndëretnik e ndërqytetar dhe në evropianizimin e kritereve për të qenë më të dinjitetshëm në çdo plan

Nga Emin AZEMI

Maqedonia e Veriut tash më e ka presidentin e ri. Stevo Pendarovski në pesë vitet e ardhshme do të jetë shefi i ri i shtetit. Të gjithë ata që presin nga ai t’i përmbushë të gjitha premtimet, do të zhgënjehen.

Por, edhe skeptikët nuk do të kenë shumë argumente ta paragjykojnë apriori punën e tij. Një president i ri, që tash më erdhi, për të gjithë duhet të jetë një rrëfim i ri, i pa treguar ende. Zhvillimi i karrierës së një burrështetasi, është përpjekje për të dalur nga njëtrajtshmëria e gjërave që ka ndjekur atë në të kaluarën.

Pendarovski ishte njeri i kabineteve, shumë afër presidentëve, por asnjëherë deri më tani nuk ishte drejtues. Tash e tutje ai duhet të na tregojë se çka ka mësuar të bëjë atë që duhet bërë. Atë që s’duhet bërë, ska nevojë të na tregojë, sepse e pamë tash dhjetë vite.

Jo vetëm për shkak të kompetencave të limituara, por edhe për shkak të raporteve të reja politike, pa ndonjë stres kohabitimi, figura e tij nuk do të shërbejë si ‘dërrasë qitjeje’, siç ndodhi me pararendësin e tij. Kjo është një përparësi, por edhe një barrë, sepse shumë punë të shkuara keq në të kaluarën, sidomos nga pararendësi i tij, duhet të vendosen mbarë nga vet ai.

Së pari, duhet vendosur një raport normal e koheziv në me të tij si institucion dhe institucioneve të tjera.
Së dyti, duhet respektuar ligjet dhe Kushtetuta dhe në frymën e kësaj ndikimi i tij duhet të shkojë në drejtim të krijimit të një klime të re në jetën përgjithshme politike e institucionale.

Së treti, autoriteti i tij duhet të jetë mbi kapriciet e vogla partiake, kurse kursin e zhvillimit ekonomik e politik të vendit ta vështrojë si një baba i mirë që i do barabar të gjithë fëmijët.
Së katërti, nuk duhet harruar shqiptarët – edhe ta që e bënë president, por edhe ata që ishin kundër tij.

Së pesti, Pendarovski duhet të hapë një debat të ri mbi nevojën e ndryshimeve radikale në sistemin politik e kushtetues të vendit, në mënyrë që çdo qytetar të ndjehet i lirë, i barabartë dhe i dinjitetshëm ne vendin ku ai punon e banon.

Stevo Pendarovski askujt nuk i ka borxh individualisht, por borxhi më i madh i tij ndaj vendit është të vendos një standard të ri në ripërkufizimin e rolit të Presidentit në harmonizimin dhe fisnikërimin e raporteve në mes të njerëzve dhe institucioneve, në thellimin e besimit ndëretnik e ndërqytetar dhe në evropianizimin e kritereve për të qenë më të dinjitetshëm në çdo plan.

Ardhja e Stevo Pendarovskit aty ku është, nuk ndodhi nga qielli. Partitë kryesore politike (LSDM, BDI) që e mbështetën atë kishin projektuar një ide të përbashkët që do ta nxirrte vendin nga letargjia e së kaluarës.

Pendarovski mund të jetë ide gjeniale e atyre që e sollën këtu ku është tani, por kjo nuk do të mjaftonte nëse në të ardhmen nuk zhvillohen edhe beteja të tjera politike për një dinamizim të ri të jetës politike, ekonomike e sociale, që do të jenë në favor të të gjithëve.