Pendarovski: Nuk duam të na fusin me një thes me Shqipërinë!

Duke ndarë rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë, duke i dhënë dritën jeshile të parës dhe duke shtyrë për më vonë fillimin e bisedimeve të pranimit për të dytën, është e vetmja rrugë që duhet ndjekur në optikën e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Maqedonia e Veriut ka marrë vlerësime pozitive pas suksesit të arritur në sajë të marrëveshjes së lidhur me Greqinë për çështjen e emrit dhe është shumë pranë hapjes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Megjithatë, Pendarovski, ka kërkuar që Berlini zyrtar, të kryejë një shqyrtim të diferencuar sa i përket nisjes së bisedimeve të anëtarësimit bashkë me vendin tjetër me statusin e kandidatit, Shqipërisë, pasi sipas tij procedura e “decouplage”-it është përdorur edhe dy herë të tjera në disavantazh të Maqedonisë së Veriut.

Në një intervistë të dhënë për platformën mediatike “Euractiv” të specializuar në publikimin e artikujve që fokusohen tek politikat evropiane, Pendarovski përmend precedentin e vitit 2011, kur Maqedonia e Veriut u shkëput nga Mali i Zi dhe të vitit 2013, kur u shkëput nga Serbia, që përfitoi hapjen e negociatave duke lënë pas Shkupin, i cili duhet të zgjidhte mosmarrëveshje me Greqinë. “Problemi më i madh është ‘ndarja’ me Shqipërinë. Shqipëria tani është në rrëmujë. Opozita është larguar nga institucionet dhe po bëhet më e tensionuar. Pra, çfarë mund të themi këtu? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni më parë, dhe ne jemi ‘veçuar’“, thotë Pendarovski.

Pendarovski shprehu gjithashtu shqetësimin se hapja e vonuar e bisedimeve të anëtarësimit, e parashikuar për në muajin shtator, do të ndikonte negativisht në kontekstin politik në Ballkan.