Përfundon pa marrëveshje takimi Putin-Erdogan për Sirinë

Takimi mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan përfundoi sot në Moskë pa marrëveshje në lidhje me projektin turk të një zone të sigurt në veri të Sirisë nën kontrollin e Ankarasë.

Turqia ka kërkuar të ashtuquajturën “zonë të sigurt” përgjatë kufirit në veri të Sirisë për të garantuar sigurinë dhe bllokuar fluksin e emigrantëve pasi trupat amerikane po tërhiqen nga ky vend i përfshirë në një konflikt të gjatë.

Erdogan deklaroi se “bisedimet do të vazhdojnë. Turqia kërkon një zonë të sigurt të pastruar nga terrori”.

“Turqia ka marrë një përgjigje pozitive nga SHBA-ja për krijimin e kësaj zone dhe nuk ak probleme me Rusinë për këtë çështje”, tha Erdogani.

Nga ana tjetër Rusia ka sugjeruar transferimin e kontrollit të zonave që mbahen nga kurdët në veri të Sirisë tek qeveria e Damaskut, e Bashar al Asad, një zgjidhje që qeveria turke e ka kundërshtuar.