Përmbyllet “Epopeja e UÇK-së”. Ali Ahmeti bën homazhe në Prekaz (FOTO)

Prekazi dhe e gjithë Kosova ndezën mbrëmë zjarret e lirisë duke përmbyllur kështu manifestimin treditor të “Epopesë së UÇK-së”, në përkujtim të komandantit legjendar, Adem Jasharit, dhe familjes së tij si dhe të të gjithë dëshmorëve te lirisë. Në “Natën e zjarreve”, kryeministri Ramush  Haradinaj tha se Kosova është me fat që kishte familjen Jashari që u flijua për liri, por edhe brezin e ri të kësaj familje të shtrenjtë.

“Është diçka e rrallë në krejt popujt e botës, e ne ndoshta pse e kemi në mesin tonë, ndoshta harrojmë t’i shohim krejt dimensionet e asaj se çka kemi në mesin tonë. Edhe sot e kemi në mesin tonë Ademin, Hamzën, Shabanin e ri, e kemi Bekimin, Bashkimin, Lulin, Muratin, e kemi brezin e djemve tanë, por e kemi edhe bacën Rifat që na prin… Këta tre breza u flijuan për liri, po këta tre breza sot janë dëshmitarë të asaj se liria jonë ishte e shtrenjtë, se liria jonë ishte plot jetë të njerëzve tanë më të dashur, më të mirë”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, e vizitoi Prekazin për të nderuar veprën e familjes Jashari dhe të të gjithë të rënëve për liri. Delegacioni i lartë i BDI-së i kryesuar nga Ahmeti, bënë homazhe dhe vendosën lule në varrezat e Jasharajve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Pas përfundimit të nderimeve, ata vizituan edhe komunën e Skenderajt, ku u pritën nga kreu i saj, Bekim Jashari dhe nënkryetari Nuredin Lushtaku.

/TVM2/

Loading...