Plani operativ për veriun, deklarohet MPB!

Ndonëse ishte paralajmëruar se mund të ketë trazira në Veri të vendit, pasi sot duhej të dorëzohej draft-statuti për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, në këtë pjesë tanimë janë pozicionuar edhe pjesëtarët e KFOR-it për ta vënë nën kontrolle situatën aktuale.

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për “Indeksonline” ka treguar planin operativ të institucioneve të sigurisë Zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra.

Ai ka thënë se askush nuk do të tolerohet që të bëjë veprime të cilat s’janë në përputhje me infrastrukturën ligjore.

Sipas Shkodrës, ata që tentojnë t’a bëjnë një gjë të tillë, do të ballafaqohen me Forcën e vendosmërisë së Ligjit.

“Të gjitha institucionet janë në gjendje gatishmërie dhe po përcjellim me vëmendje zhvillimet në veri dhe mund të konfirmojë se nuk do të tolerohet askush që të tentojë të bëjë veprime të cilat nuk janë në përputhje me infrastrukturën ligjore dhe kushtetutën. Të gjithë ata që tentojnë të sfidojnë rendin dhe ligjin në  hapësirat  e territorit të Kosovës do të ballafaqohen me Forcën dhe vendosmërinë e Ligjit”, ka thënë Shkodra për Indeksonline.

Më tej, ai ka shtuar se PK së bashku me të gjitha institucionet e sigurisë kanë marrë të gjitha masat e nevojshme. Sipas Shkodrës, do të veprohet në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Ndryshe, për situatën aktuale në Kosovë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thirrur mbledhje urgjente të Këshillit për Siguri Kombëtar. Derisa në Veri sipas mediave serbe, ushtarët e KFOR-it kanë bllokuar pjesën e Gazivodës në Zubin Potok në very të Kosovës./Indeksonline/