Po bëhen dy javë, shkaqet e akssidentit të 13 shkurtit ende nuk janë bërë të ditura

Kaluan 13 ditë nga aksidentit tragjik në autostradën Shkup-Tetovë pa epilog për shkaqet që shpien deri te rrokullisja e autobusit të Durmo Turs.

Nga Fakulteti i Makinerisë ku është bërë ekspertiza e autobusit të akssidentuar thonë se raportin e tyre do e ndajnë vetëm me Prokurorinë. Edhe Byroja për mjekësi ligjore thotë se nuk do të kumtojnë asgjë pa e parë vendimin e prokurorisë.

Nga Prokuroria Publike thonë se po i kryqëzojnë raportet e marra nga të gjitha institucionet e përfshira në hetim dhe se po vazhdojnë me dëgjimin e dëshmitarëve okularë por edhe udhëtarëve të asaj dite. Ndërkaq Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski thotë se në një afat të shkurtër kohorë do zbardhen arsyet e aksidentit.

“Në përditshmëri u përgjigjemi kërkesave. Janë shpërndarë edhe hetues të cilët punojnë me Prokurorinë Publike që nga momenti i aksidentit. Unë pres që së shpejti do të dalin me të dhëna dhe informata në lidhje me rastin”, theksoi Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

 

Në gjendje të rëndë shëndetësore mbetet vetëm një nga udhëtarët e aksidentuar, i cili ka lëndime në tru dhe mushkëri të bardha dhe po mbijeton me ndihmën e frymëmarrjes artificiale.

Gjendja e shtatë pacientëve të tjerë është stabilizuar dhe shkon kah përmirësimi. Akssidenti tragjik i autobusit ndodhi më 13 shkurt në fshatin Llaskarcë. 16 persona humbën jetën ndërsa dhjetëra të tjerë u lënduan.(Alsat)