Prekazi, vendi i cili bashkon shqiptarët

Fshati Prekaz edhe sot ishte caku i qindra qytetarëve nga e gjithë Kosova por edhe jashtë saj.Ata kanë bërë homazhe në varrezat e Jasharajve në Prekaz aty ku 20 vjet më parë ranë komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja e tij.Herët në Prekaz ka ardhur edhe kryeministri Ramush Haradinaj i cili pasi bëri homazhe qëndroi edhe në kullën e Jasharajve ky u prit nga kryefamiljari Rifat Jashari.

Rifat Jashari falënderoi kryeministrin Haradinaj për vizitën dhe ka uruar që asgjë e keqe të mos i ndodh Kosovës.“Falënderoj kryeministrin Ramush Haradinaj që ka ardhur me nda edhe këtë dhimbje edhe këtë krenari bashkë me ne. Shfrytëzoj rastin t’ua uroj gjithë shqiptarëve festat e marsit dhe Inshalla asgjë e keqe më në jetë nuk na ndodh, Inshalla gjithmonë jemi bashkë, jemi vigjilent që ta çojmë Kosovën përpara”, tha Rifat Jashari.Homazhe dhe vizitë familjes Jashari ka bërë edhe ministri i FSK-së Rrustem Berisha i cili tha se këto ditë të vështira që kaluan familja Jashari dhe populli shqiptar janë frymëzim për të punuar të gjitha institucionet.Berisha shpreson se në çdo përvjetor do të vijnë në raporte të mira për qytetarët e Kosovës.“Patëm dëshirë të jemi pjesë e kësaj ceremonie, pjesë e përballimit e këtyre ditëve të vështira që i kanë pasur sepse siç e dimë kanë pasur ditë të vështira për familjen Jasharaj dhe gjithë popullin shqiptar. Kemi pas dëshirë të jemi pjesë e kësaj është një frymëzim për të gjithë ne që të vazhdojmë me punën tonë drejt forcimit të shtetit tonë, institucioneve shtetërore, institucioneve të sigurisë dhe mendoj që çdo herë e më shumë do të vijmë me vlera raportuese në çdo përvjetor në të mirë të gjithë qytetarëve”, tha Berisha.Në nderim të Jasharajve në Prekaz janë përkulur edhe kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci dhe ai i Skënderajt Bekim Jashari.Bekim Jashari, që njëherësh është djali i heroit të kombit Hamëz Jashari tha se vetëm kështu mund të nderohen të rënët për lirinë e Kosovës. “Vetëm kështu mund t’i nderojmë dëshmorët dhe obligimin tonë që e kemi, amanetin e dëshmorëve që ta ndërtojmë këtë vend drejt zhvillimit ekonomik që rinia jonë ta sheh perspektiven në vendin e vetë”, tha Jashari.Ndërsa kryetari i komunës se Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se këto nderime bëhen që të kryhen obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës. “Ky nderim na bënë me u kujdes edhe me i kry detyrat edhe obligimet që i kemi ndaj qytetarëve. Epopeja e Jasharajve është një histori të cilës i përkulen të gjithë shqiptarët kudo që janë”, tha Lladrovci.Për të nderuar familjen Jashari dhe Epopenë e UCK-së në Prekaz ka qëndruar edhe një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje me në krye, kryetarin e saj Albin Kurti.Duke folur para gazetarëve Kurti tha se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndryshoi historinë dhe politikën në vend. Sipas tij familja Jashari bashkuan edhe më shumë popullin shqiptar.“Sakrifica e Jasharajve i dha hovin vendimtar luftës çlirimtare. Epopeja e UÇK-së e 5,6,7 marsit ndodhi midis dy demostratave shumë të fuqishme asaj me dy mars 1998 dhe 9 mars 1998. E mbaj mend mirë se aq masive ishte demonstrata e 9 marsit dy dite pas Epopesë së UÇK-së sa që edhe Policia e Serbisë u frikësua të ndërhynte. Atë ditë në banesat në Prishinë nuk kishe mbetur kush që të gjithë ishin në rrugë.Epopeja e UÇK-së e ndryshoi edhe politikën dhe historinë. Jasharajt e kishin vënë popullin mbi familjen dhe kështu e ndryshuan popullin sepse bashkuan atë dhe ndryshuan secilën familje shqiptare sepse i vetdijësuan ato. Gjithçka ndryshuan për ato… Ato tri ditë ishin me shumë se 20 vite e këto 20 vite nuk duken as si tri ditë” ,tha Kurti.Edhe pse gjatë tërë kohës në Prekaz pati reshje shiu kjo nuk i ka ndaluar qytetarët që të nderojnë familjen Jashari.Më 5,6 dhe 7 mars në Prekaz të Drenicës është zhvilluar beteja në mes të familjes Jashari dhe policisë serbe ku janë vrarë 50 anëtarë të kësaj familje.Për nder të Epopesë së UÇK-së sot do të mbahet një akademi përkujtimore ndërsa paradite është mbajtur edhe një konferencë shkencore lidhur me këtë rast.Ndërsa dje Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne ndërsa në Prekaz është zbuluar mozaiku me figurën e Adem Jasharit e punuar nga 200 mijë fishekë.

Loading...