Profesori i protokollit: Lënia e shtetit pa “zot shtëpie”, imazh jo i mirë për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryekuvendari, Kadri Veseli dhe kryeministri, Ramush Haradinaj, bashkë qëndruan të martën dhe të mërkurën në Bruksel.

Por, vizita e tyre e përbashkët dhe takimi me përfaqësuesen e lartë të BE-së e la shtetin e Kosovës pa zot shtëpie, duke shkelur në këtë mënyrë Protokollin e Shtetit.

Në Ligjin për protokoll të shtetit thuhet:

“Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”.

E nëse këto lëvizje janë bërë në koordinim me protokollin e shtetit RTV Dukagjini nuk pati mundësi të marrë përgjigje nga zyra e protokollit në Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Profesori i protokollit, Tomor Avdia, e sheh krejt të paarsyeshme vizitën e përbashkët të tre liderëve kryesorë të institucioneve.

“Në këto takime nuk është e rëndësishme të marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e shtetit, pasi atyre që u takon ligjërisht të merren me çështje të politikës së jashtme janë Ministria e Jashtme dhe Kryeministri”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Sipas Avdisë, kjo do të ndikojë edhe në imazhin e shtetit të ri.

“Në shtete normale zyrtarët duhet t’i përcaktojnë saktësisht vizitat e nivelit të lartë, dhe nëse fryhet delegacioni në takime të tilla, është një imazh jo i mirë dhe dëmton kredibilitetin e shtetit”, tha ndër të tjera profesori i protokollit, Tomor Avdia.

Kujtojmë se një shkelje e tillë ishte bërë edhe në kohën kur liderët e institucioneve kishin udhëtuar për në SHBA për të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”.

Ndërkaq fotografia e sotme e liderëve kosovarë në Bruksel u komentua shumë, pasi në delegacion nuk kishte as edhe një femër.

Loading...