Prokuroria kërkon largimin e gjykatësit në çështjen kundër gjyqtarit Shkëlqim Mirit

Kur pritej hapja e procesit gjyqësor kundër ish-gjyqtarit të Apelit Tiranë Shkëlqim Miri dhe tre të pandehurve të tjerë të akuzuar për korrupsion aktiv dhe pasiv,relatori i çështjes, gjyqtari Ardit Mustafai pohoi se kishte paraqitur dorëheqjen për të mos gjykuar këtë dosje.

Dorëheqja i është paraqitur kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda me motivacionin se Mustafai ka njohje personale me të pandehurin Miri, njëherësh me bashkëshorten e këtij të fundit ka lidhje gjaku dhe bien kushërinj. Por më tej gjyqtari Ardit Mustafai, pohoi se kjo kërkesë e tij nuk ishte pranuar nga kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, dhe për këtë kërkoi dhe një opinion të palëve në proces,mos kishin ata kërkesa shtesë, përpara se të hapte procesin gjyqësor. I pranishëm në sallën e gjyqit ishte dhe i pandehuri Shkëlqim Miri, i cili refuzoi të flasë. Avokati i ish-gjyqtarit të Apelit Shkëlqim Miri, Arben Prenga ishte dakort që trupi gjykues të mos ndryshonte pasi sipas tij, Miri për shkak se ka qënë gjyqtar, ka njohje me thuajse të gjithë gjyqtarët e vendit, dhe s’mund të shmangen gjyqtarët për shkak të njohjes me Mirin.

 Akuza: Mustafai të largohet

I ndodhur në këtë situatë, prokurori i çështjes Klodian Braho kërkoi të njihej me kërkesën e dorëheqjes, duke kërkuar njëherësh dhe 10 minuta pushim të seancës gjyqësore. Pasi u njoh me pretendimin e gjyqtarit Mustafai, prokurori Braho kërkoi përjashtimin nga ky gjykim të relatorit të çështjes Ardit Mustafai,duke cilësuar se ai ka konflikt interesi në gjykimin e kësaj dosjeje. Pritet në vazhdim që kërkesa e prokurorisë të shqyrtohet nga një trupë gjyqësore tjetër, ku do vendoset përjashtimi ose jo I gjyqtarit Mustafaj. Seanca e rradhës është planifikuar në 24 korrik 2018.

Korrupsioni me 30 mijë euro

Ish-gjyqtari i Apelit Shkëlqim Miri së bashku me kushëririn e tij Kujtim Miri, Alban Buci dhe Gentian Doda u arrestuar nga prokuroria për akuzën e korrupsionit pasiv dhe aktiv, pasi kundrejt 30 mijë euro, lanë në fuqi dënimin me 8 vite burg për Gentian Dodën, dënim i cili i solli lirinë të akuzuarit për vrasje në Burrel. Hetimi i prokurorisë nisi pas informacioneve të marra se funksionarë të drejtësisë kanë favorizuar të pandehurin Gentian Doda, i cili ishte dënuar në vitin 2012 me 20 vjet heqje lirie. Doda kishte marrë një ulje dënimi nga Gjykata e Matit dhe më pas trupa gjykuese e Apelit të Tiranës, pjesë e të cilës ishte edhe gjykatësi Miri, la në fuqi dënimin e ri me 8 vjet burg ndaj tij. Në rast se gjendet fajtor ish gjyqtari Miri rrezikon dënimin nga 3 deri në 10 vjet burg. Shkëlqim Miri, 46 vjeç ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, e cila starton në vitin 1999. Ai më parë kë qenë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë./shqiptarja.com/

Loading...